Biblioteka e Ratkocit pasurohet me 175 ekzemplarë librash

Prishtinë | 14 Tet 2016 | 15:41 | Nga

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Rahovecit, i dhuroi 175 ekzemplarë me 35 tituj librash bibliotekës së shkollës fillore “Katër Dëshmorët” në fshatin Ratkoc.

Me këtë rast drejtori i DKRS-së, Gardalin Shtavica theksoi nevojën e madhe që bibliotekat shkollore kanë për tituj të rinj, si dhe ftoi nxënësit e kësaj shkolle që t’i shfrytëzojnë këto libra.

“E kuptojmë nevojën e madhe që shkollat kanë për libra të rinj, prandaj kemi vendosur që bibliotekës së shkollës fillore “Katër Dëshmorët”, t’i dhurojmë libra, duke besuar se nxënësit e kësaj shkolle do ta shfrytëzojnë këtë mundësi, shtoi drejtori Shtavica”.

“Ky është një veprim simbolik, por nuk do të thotë se është edhe i fundit. Do të bëjmë përpjekje që biblioteka e kësaj shkolle të furnizohet edhe në të ardhmen, mirëpo kërkohet që nxënësit të lexojnë sa më shumë, duke na ‘detyruar’ neve që të sjellim sa më shumë libra, tha ndër të tjera drejtori Shtavica.

Në emër të kolektivit të shkollës falënderoi drejtori, Ibrahim Hoti. Hoti tha se biblioteka e shkollës ka qenë e vendosur në qendrën e kulturës, mirëpo për shkak të kushteve jo të mira për ruajtjen e librave kemi vendosur që bibliotekën ta zhvendosim në lokalet e shkollës.

Tashmë ekzistojnë rrethana më të favorshme për nxënësit, sepse këtu ka mundësi që edhe të lexohet, pasi që një ish-nxënëse e kësaj shkolle ka dhuruar tavolina dhe karrige për bibliotekën.

Librat janë siguruar nga fondi librar i bibliotekës komunale “Sylejman Krasniqi” në Rahovec.

Ndër të tjera nga të rinjtë e kësaj shkolle u kërkuar intensifikim i kontakteve me DKRS, si dhe organizim i aktiviteteve të përbashkëta kulturore, sportive e rinore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme