“Viti 2016 është një viti humbur! Sikur në rrafshin e zhvillimeve të brendshme ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Ndërsa për vitin e ardhshëm presim zgjedhje të parakohshme në të cilat qytetarët e Kosovës do ta dënojnë me një votë plebishitare këtë mazhorancë të dështimit”.
Kështu ka thënë në një intervistë për lajmi.net, sekretari i NISMA-së për Kosovën, Bilall Sherifi.
A do të vazhdoni të jeni këmbëngulës kundër demarkacionit?
Sherifi: Versioni aktual i demarkacionit me Malin e Zi, të cilin qeveria e Kosovë ende vazhdon ta mbrojë me këmbëngulësi, tanimë me siguri të plotë mund të themi se në Parlamentin e Republikës së Kosovës nuk kalon.Ky version nuk kalon jo vetëm pse partitë opozitare janë kundër, por nuk kalon se e vërteta për këtë version ka bindur shumë deputet të mazhorancës se është i gabuar dhe si i tillë nuk merr votat e mjaftueshme për t’u ratifikuar. Pra, nuk ka asnjë logjikë që tash kur e vërteta për demarkacionin ka bindur edhe shumë deputet të mazhorancës, tani të ndryshojmë qëndrim ne. Kjo nuk do të ndodhë. Ne do të vazhdojmë të insistojmë në rrëzimin e këtij versioni në mënyrë që në aspektin formal të hapet rruga për fillimin e një procesi të ri për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
A do ta pranojë Nisma marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe?
Sherifi: Marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë ashtu siç është arritur mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë nuk ekziston më. Atë marrëveshje e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese dhe kushdo që do të provojë ta ri fuqizojë atë bën shkelje të rëndë së pari të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe gjithsesi edhe të kushtetutës së Kosovës.Rrjedhimisht, askush nuk ka të drejtë ta rikthejë në jetë sërish këtë marrëveshje.
Si e shihni të ardhmen e vendit nën qeverisjen e Isa Mustafës?
Sherifi: Së pari besoj fuqishëm që kësaj qeverie po i vjen fundi. Ndërsa e ardhmja e vendit me këtë qeveri nuk mund të jetë më e mirë se e kaluara e saj. Jam shumë i bindur se nëse kjo qeveri vazhdon mandatin deri në fund vendi do të pësojë kthim edhe më të madh mbrapa.
Nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme me cilat parti do shkoni në koalicion?
Sherifi: Koalicioni parazgjedhor Nisma-AAK është krijuar si një Bosht Opozitar i cili në zgjedhjet e ardhshme do të ofrojë një platformë për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Ne synojmë që këtë bosht ta zgjerojmë edhe me forca tjera politike dhe me personalitete nga shoqëria civile në mënyrë që të dalim fitues në këto zgjedhje. Pastaj, si fitues i zgjedhjeve do të shohim se me cilat parti mund të ndërtojmë një program qeverisës.Tani për tani nuk mund ta dijë se cilat janë ato parti me të cilat do të mund të hynim në koalicion. Krejt do të varret nga gatishmëria e partive për të pranuar programin e koalicionit fitues të zgjedhjeve.
A pritet që të përmirësohen raportet në mes Nismës dhe Vetëvendosjes?
Sherifi: Raportet mes Nismës dhe VV-së janë po ato që kanë qenë. Nuk kemi pasur prishje të raporteve që tani të presim përmirësim të tyre. Ajo që pritet zakonisht nga partitë opozitare është bashkëpunimi mes tyre në tema për të cilat ndajnë të njëjtat pikëpamje. Në rrafshin e bashkëpunimit për dy temat e mëdha kombëtare siç ishin Demarkacioni dhe Asociacioni kemi pasur bashkëpunim shumë intensiv, sikur edhe dihet e i fituam këto dy çështje. Besoj që edhe në të ardhmen për tema nacionale bashkëpunimi nuk do të mungojë.
Si e vlerësoni vitin 2016 dhe çfarë prisni nga viti i ardhshëm?
Sherifi: Viti 2016 është një viti humbur! Sikur në rrafshin e zhvillimeve të brendshme ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.Ndërsa për vitin e ardhshëm presim zgjedhje të parakohshme në të cilat qytetarët e Kosovës do ta dënojnë me një votë plebishitare këtë mazhorancë të dështimit.. Përndryshe, ashtu sikur e thash edhe më lartë, nëse në vitin që po hymë do të vazhdojmë me të njëjtit njerëz, me të njëjtën qeveri, as stagnim nuk mund të presim por kthim edhe më të madh mbrapa me pasoja të cilat gjatë kohë nuk do të mund të riparohen.