Bislimi citon fjalët e zyrtarit grek: I mahnitur me pasuritë dhe “erën europiane” në Kosovë

Prishtinë | 05 Dhj 2022 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, sot priti një mysafir nga Greqia. Në zyrën e tij sot shkoi drejtori për Punë Evropiane në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, Leonidas Rokanas.

Bislimi, në një postim në Facebook, ndau një pjesë të bisedës së tij për përshtypjet të zyrtarit grek për Kosovën.

“Takimin me z.Rokanas, e nisëm duke më rrëfyer se është i mahnitur nga pasuritë natyrore të Kosovës dhe siç ai e përkufizoi “erës evropiane që frynë në Kosovë””, ka shkruar Bislimi.

Ai tha se Kosova dhe Greqia duhet të intensifikojnë punën dhe angazhimin me njëra-tjetrën.

“Objektivi final për Kosovën duhet të jetë integrimi në Bashkimin Evropian, perspektivë kjo e nisur në Selanik në vitin 2003 për Kosovën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që të ecin së bashku në harmoni dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse”.

Këtu, Bislimi përmendi synimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

“Tashmë po ndërmerret hapi i parë, që është ai i aplikimit për anëtarësim. Në ndërkohë, vendi po ecën përpara me ritëm të shpejtë në avancimin e agjendës evropiane dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian, ku dallohet puna e bërë nga Qeveria në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, demokratizimin e shumë fusha të tjera. Ne jemi të gatshëm, që përmes përkushtimit tonë, ta përshpejtojmë progresin në këto fusha dhe rrjedhimisht rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”.

Po ashtu, Bislimi tha se me Rokanas biseduan mbi bashkëpunimin dhe miqësinë mes Kosovës dhe Greqisë.

“Është e rëndësishme që vendet tona të vazhdojnë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe të zgjerojnë hapësirat e ndërveprimit, veçanërisht në sferat sociale, kulturore, por edhe në përballimin e sfidave të përbashkëta si kriza energjetike dhe tranzicioni drejt energjisë së gjelbër. Ky bashkëpunim i ngushtë do të kontribuonte në krijimin e urave mes vendeve dhe njerëzve tanë. Në këtë takim ishte prezent dhe shefja e Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, znj. Heleni Vakali”.

Të ngjashme