Kryenegociatori kosovar në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, Besnik Bislimi ka konfirmuar se të martën është caktuar një takim mes dy delegacioneve, raporton Ekonomia Online.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Bislimi demanton raportimet e mediave serbe, të cilët këta të fundit, gjatë ditës së sotme kanë deklaruar se pala kosovare e ka refuzuar takimin trepalësh.
Sipas tij, Kosova ka pranuar takimin trepalësh më 17 shtator, sipas agjendës së caktuar nga ndërmjetësi, duke shtuar se Serbia ishte ajo që e refuzoi një takim të tillë.
“Për bisedimet e ardhshme të procesit të dialogut në Bruksel të vendosura për 17 shtator, Kosova ka pranuar një takim trepalësh sipas agjendës së caktuar nga ndërmjetësi. Fatkeqësisht, Serbia e refuzoi një takim të tillë duke u përpjekur të imponojë pika të rendit të ditës kryesisht për konsum politik të brendshëm”, ka thënë Bislimi në X.
Ai i bëri thirrje Lajçakut që “të mohojë dezinformimin e qëllimshëm nga mediat serbe”, “të cilat thonë në mënyrë të rreme se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve”.
1/2 For the upcoming dialogue process talks in Brussels set for Sept. 17th, 🇽🇰 has accepted a trilateral mtg. according to the agenda set by the mediator. Unfortunately, Serbia rejected such mtg. by trying to impose agenda items mainly intended for domestic political consumption.
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) September 13, 2024