Bizneset diskutojnë përfitimet nga zhvillimi i tregut të kapitalit

Prishtinë | 31 Jan 2020 | 13:42 | Nga Ekonomia Online

Zhvillimi i një tregu sekondar të rregulluar të kapitalit, i cili do të mundësonte një financim të decentralizuar për bizneset si dhe do të stimulonte konkurrencë në aspektin e financimit, do të ishte shumë i mirëseardhur për ekonominë e vendit.  Kjo u konkludua në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në lidhje me iniciimin e një tregu të kapitalit në vend.

Ekonomisti Agim Demukaj e definoi tregun e kapitalit si treg në të cilin takohet oferta me kërkesën. Ai u shpreh se një treg i tillë, i njohur ndryshe edhe si treg financiar, edhe pse ekziston në njëfarë mënyre në Kosovë, nuk është i rregullluar, dhe se është pikpyetje se cili institucion do të ishte adekuat për rregullimin e tij. Sipas Demukaj, interesimi nga akterë të ndryshëm për zhvillimin e tregut të kapitalit në Kosovë është i pranishëm, por mungesa e legjislacionit bazë, mekanizmave, instrumenteve, si dhe rreziku i funksionimit paraqesin pengesa.

Rinor Gjonbalaj, Drejtor Ekzekutiv në MDA, foli për nevojën e krijimit të një ekosistemi në të cilin banka është suplementare, pra një akter me shumë rëndësi, por jo e vetmja palë në të cilën mundësohet qasja në financa. Ai prezantoi idenë e tregut të kapitalit si një kornizë e re që do të nxiste konkurrencë në sektorin e financimit, si dhe do të iu mundësonte bizneseve në veçanti, dhe shoqërisë në përgjithësi, të kenë burime alternative të financimit.  Ai tha se në krahasim me vendet e tjera, bizneset në Kosovë mbeten të varura nga bankat për financim, gjersa ky treg do të zhbllokonte më shumë investime për të gjitha kompanitë, si dhe do të tërhiqte më shumë investime të huaja direkte.

Ramis Ahmetaj, Konsulent i Biznesit, theksoi se duhet të krijohet një agjension gjithëpërfshirës për rregullimin e tregut të kapitalit, ngaqë për të ardhur deri tek një sistem i tillë duhen zhvilluar shumë aspekte legjislative të cilat qartësojnë veprimtari përkatëse. Ahmetaj potencoi se meqë ky treg ekziston në të gjitha vendet e rajonit, nuk është e pamundur që i njëjti të zhvillohet edhe në Kosovë. Sipas tij, nevoja për krijimin e këtij tregu është e menjëhershme meqë ky do të mundësonte stabilitet të sistem financiar, duke ofruar një shumëllojshmëri të mjeteve të financimit. 

Të ngjashme