Bizneset që morën tokën komunale në shfrytëzim ndihen të mashtruara nga Komuna e Pejës

Prishtinë | 06 Mar 2020 | 07:57 | Nga Ekonomia Online

Në lokacionin e quajtur Zagermë, që gjendet jo larg bazës ushtarake të KFOR-it në Pejë, Komuna e Pejës para tre vjetësh ua kishte dhënë në shfrytëzim me procedura të hapura të konkurrimit, mbi tre hektarë e gjysmë tokë komunale gjashtë bizneseve që veprojnë në industrinë e drurit.

Saktësisht u janë dhënë 368 ari tokë gjashtë bizneseve në shfrytëzim për 45 vjet, me taksë vjetore të shfrytëzimit prej 1 mijë deri në 1 mijë e 500 euro, shkruan sot “Koha Ditore”.

Toka e dhënë në shfrytëzim nuk ka pasur asnjë lloj infrastrukture, kurse bizneset përfituese që kanë marrë në shfrytëzim sipërfaqe nga 47 deri në 84 ari tokë, kanë qenë të obliguara vetë ta ndërtojnë atë dhe njëkohësisht ato ishin zotuar se të gjitha bashkë do t’i punësojnë 200 punëtorë. Mirëpo, në atë tokë edhe pas tre vjetëve as që ka nisur të rregullohet apo ndërtohet gjë dhe është e mbushur me shkurre njëjtë sikur që ishte para tre vjetëve.

“Nuk kemi investuar, sepse nuk na kanë lejuar disa atje. Ne i kemi dërguar buldozerët para dy vjetëve me fillua pastrimin e vendit dhe me nis me rregullua infrastrukturën për ta ndërtuar fabrikën, por një familje me mbiemrin Voci aty nuk na ka lejuar, me pretendimet se është tokë e tyre dhe as nuk kanë deshtë ta diskutojnë me neve”, tregon Zeqë Gashi, pronari i njërës prej këtyre gjashtë kompanive, arsyen pse nuk kanë investuar në atë lokacion për çka e kishin marrë në shfrytëzim. Ai tregon se tashmë është tërhequr krejtësisht nga ai lokacion, sikurse edhe pesë kompanitë e tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme