Bizneseve të Kosovës u ikën mbi 30 mijë konsumatorë

Prishtinë | 18 Kor 2016 | 11:14 | Nga

Pavarësisht një shtimi natyror prej 22 232 banorësh, popullsia rezidente e Kosovës është zvogëluar për 33 340 banorë për shkak të largimit në vitin 2015.Largimi i tyre ka ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik, sidomos në çështjen e konsumit, eksportimit të parasë së gatshme dhe zbehjes së imazhit për investitorët e huaj potencialë në Kosovë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë me dije se nga Kosova janë larguar 33 340 qytetarë, por kjo shifër kontestohet nga kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, i cili ka thënë se numri i të ikurve nga Kosova është më i madh.

“Ne asnjëherë nuk e kemi numrin e saktë të qytetarëve që janë larguar nga Kosova për arsye se nuk kemi regjistra të sakta dhe kjo është si pasojë e largimit të qytetarëve nëpër rrugë alternative. Dihet se kufijtë e Kosovës janë ta kalueshëm lehtë në porta ilegale, pasi kalojnë me mijëra tonë produkte ushqimore, e lëre me njerëz, prandaj kjo shifër është shumë më e madhe sesa ajo që e ka bërë publike ASK-ja”, ka thënë Shahini.

Ai ka thënë se ky numër i të ikurve është sfidues për ekonominë e vendit për arsye se Kosovës i mungojnë mbi 30 mijë konsumatorë dhe taksapagues.

“Vitet e fundit janë larguar shumë qytetarë nga Kosova, të cilët kanë bartur pjesë të kapitalit. Ata më s’i kemi konsumatorë e as taksapagues që kontribuojnë në shtet.

Prandaj kjo e varfëron natalitetin e Kosovës, por edhe i inkurajon të tjerët të dalin jashtë Kosovës”, është shprehur ai.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, ka thënë se numri i të ikurve është alarmant dhe se atakon drejtpërsëdrejti ekonominë e vendit si në aspektin e konsumit, po ashtu edhe të dëmtimit të imazhit për investitorët e huaj.

“Ky numër është alarmant për ekonominë e vendit, pasi largimi i popullsisë ndikon negativisht në shumë faktorë: si largimi i fuqisë blerëse, zvogëlimi i konsumit që ndikon në prodhimin e brendshëm të vendit, si dhe krijimi i përshtypjes negative për investitorët potencialë të huaj”, ka thënë Kadriaj .

Sipas tij, aktori kryesor që ka ndikuar në ikjen e numrit kaq të madh të popullsisë është premtimi nga koalicioni qeverisës për 320 mijë vende pune.

“Ishin irrituese premtimet e PDK-së për 200 mijë vende pune dhe të LDK-së për 120 mijë vende të tjera pune, të cilat në total bëjnë 320 mijë vende pune.

Sikur të bëhej realitet ky iluzion, qeveritë evropiane do ta ulnin kapelën para Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar ai./ER/

Të ngjashme