Biznesmenë nga Turqia interesohen për investime në Mitrovicë

Prishtinë | 16 Dhj 2016 | 15:15 | Nga

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, dhe nënkryetari Eroll Zekeria, kanë pritur në një takim biznesmenin e njohur turk nga Antalia e Turqisë, Ali Kogjakaja, drejtor i përgjithshëm i Organizatës për shërbime të reklamimit dhe prezantim “Icraat”, me të cilin kanë biseduar për mundësitë e bashkëpunimit dhe sjelljen e investitorëve turq në Mitrovicë për realizim të projekteve të ndryshme.

Kryetari Bahtiri pasi falënderoj biznesmenin nga Turqia Kogjakaja për interesim për të investuar në Mitrovicë, tha se komuna e Mitrovicës ka pas bashkëpunim të mirë me qytete dhe organizata të ndryshme nga Turqia, të cilat kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme Mitrovicën dhe qytetarët e saj.

Biznesmeni nga Turqia Kogjakaja tha se në rajonin e Antalias është i formuar një asociacion që përshin 87 rajone dhe 227 000 anëtarë, në mesin e të cilëve ka edhe shumë politikanë e biznesmenë të dalluar, ndërsa që përfaqësuesit këtij asociacioni janë të interesuar për të investuar në qytetin e Mitrovicës për realizimin e projekteve të ndryshme.

Ai tha se drejtuesit e asociacionit janë të interesuar që fillimisht në Mitrovicë të ndërtojnë një fabrikë tekstili, ndërsa që i tërë fitimi që del nga prodhimet e saj të investohen vazhdimisht në projekte tjera të ndryshme po në Mitrovicë.

Interesim tjetër sipas Kogjakajës, është edhe ai për përgatitjen e ekspertëve dhe kuadrove tjera profesionale që i duhen Mitrovicës, duke organizuar kurse të ndryshme pa pagesë, të cilat do të mbaheshin nga ligjëruesit që do të vijnë nga Turqia.

Po ashtu, ai tha se një spital i njohur në rajonin e Antalias, ka marrë vendim që për pacientët kosovar që duan të shërohen atje, të ketë zbritje prej 30 për qind për shërbimet që i bënë personeli mjekësor i spitalit, si dhe përmendi edhe mundësi të tjera bashkëpunimi në fusha të ndryshme.

Kryetari Bahtiri, tha se ndjehet mirë për gatishmërinë e biznesmenëve nga rajoni i Antalias të Turqisë për të investuar në komunën e Mitrovicës.

Ai tha se komuna do t’i kryej me përgjegjësi të gjitha obligimet që do i merr përsipër dhe do të siguroj gjithçka që është e nevojshme dhe që investitorët kërkojnë për plotësimin e kushteve për realizimin e projekteve në të cilat ata do të investojnë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme