Bekim Blakaj ka shtruar nevojën që autoritetet në Kosovë të krijojnë një Dhomë apo Departament të Specializuar për Krime Lufte, institucion që do të duhej të ishte i përhershëm dhe që do të udhëhiqej nga gjykatës vendorë. Sipas tij, ky mekanizëm do të duhej të kishte juridiksion të trajtonte të gjitha krimet e luftës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Blakaj është drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, organizatë joqeveritare për të drejtat e njeriut e themeluar në vitin 1992, me qëllim që t’i dokumentojë shkeljet skandaloze të të drejtave të njeriut që po kryheshin me të madhe në gjithë Jugosllavinë e asaj kohe, gjatë konflikteve të armatosura që përfshinë edhe Kosovën.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ai ka folur për “punën e dukshme” të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, që ka nisur më valën e intervistimit të eksponentëve kryesorë të UÇK-së, për të cilët raporti i senatorit Dick Marty ka hedhur pretendime për përgjegjësi në kryerje të krimeve të luftës. Tek ka folur për këtë gjykatë, ka thënë se ajo nuk ka mandat për të ofruar drejtësi universale.
“Me një fjalë është gjykatë ad-hoc, e cila do të merret vetëm me krimet e caktuara”, ka thënë ai. “Pra, në asnjë mënyrë nuk mund të pritet nga kjo gjykatë që të sjellë drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve të luftës”.