Në Kosovë, investimet e diasporës që kontribuojnë në ndërtimin e shtëpive ose blerjen e pronave zakonisht klasifikohen si investime të huaja direkte. Në të vërtetë, këto janë më shumë investime personale dhe nuk e kanë ndikimin e njëjtë në krijimin e mundësive të reja pune dhe rritjen e produktivitetit, krahasuar me investimet e huaja direkte që ndihmojnë në zhvillimin e sektorëve ekonomikë të rëndësishëm.
E thënë ndryshe, kjo rritje e “investimeve” ka ardhur më shumë nga zbrazja e madhe e Kosovës dhe pastaj investimet e diasporës në pasuri të paluajtshme.
Kryeministri, në një përpjekje për të mbajtur vëmendjen në nivel të prej 360 shkallwve, ka deklaruar se mesatarja vjetore e Investimeve të Huaja Direkte gjatë qeverisjes së tanishme është 705.6 milionë euro, që është 2.4 herë më shumë se mesatarja vjetore e qeverive të kaluara (299.8 milionë euro). Ky krahasim është interesant, por ndoshta do të ishte më i qartë nëse do të specifikoheshin periudhat përkatëse të qeverisjes aktuale dhe të kaluara.
Statusi përmend disa faktorë si qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, dhe reformat ekonomike që kontribuojnë në tërheqjen e investimeve. Por, ndihmesa e këtyre faktorëve në rritjen e investimeve do të ishte më bindëse nëse do të ishin paraqitur të dhëna konkrete dhe analiza të hollësishme që të vërtetojnë se këto faktorë kanë një ndikim të matshëm dhe të drejtpërdrejtë. Po ashtu, ndihma në investime është gjithashtu e ndikuar nga faktorë të tjerë, si situata globale ekonomike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe, për të qenë të sinqertë, dyja janw llom.
Investimet e Huaja Direkte (IHD) përfshijnë investime që janë të drejtpërdrejta në sektorë ekonomikë, si ndërtimi i fabrikave, blerja e aksioneve në kompani, dhe projekte të tjera që kontribuojnë në zhvillimin e sektorëve të ndryshëm ekonomikë.
Ndërsa, investimet e diasporës në pasuri të paluajtshme-si shtëpi, toka, dhe prona të tjera, shpesh janë më shumë një mënyrë për të krijuar pasuri personale sesa për të kontribuar në zhvillimin e sektorëve ekonomikë të vendit.
Kështu që, është koha të ndalojmë së quajturi çdo blerje shtëpie, banese, apo garazhe Një Investim të huaj Direkt.