Njeriu më i shpejtë në botë, xhamajkani Usain Bolt do t’u nënshtrohet provave te Borussia Dortmundi në tentim për të siguruar një kontratë profesioniste futbolli te Manchester Unitedi.
Rekordmeni i botës në 100 dhe 200 metra vrapim, Bolt 31-vjeçar është tërhequr nga atletika në verën e vitit të kaluar, transmeton “Koha Ditore”. Ai ka fituar gjatë karrierës tetë medalje të arta olimpike dhe shumë të tjera të botës.
Bolt kishte pësuar një lëndim muskulor në garën e tij të fundit të atletikës në Botërorin “Londra 2017” në stafetën 4×100 metra. “Tash jam shëruar dhe jam kthyer në forca të plota”, ka thënë Bolt për tabloidin britanik “Express”.
“Në mars do të shkoj në prova te Dortmundi dhe atje do të përcaktohet se çfarë do të ndodhë me karrierën time në futboll dhe në çfarë drejtimi do të shkoj. Nëse thonë se jam mirë dhe se më duhet pak stërvitje, atëherë do të bëj këtë. Një nga ëndrrat e mia më të mëdha është të firmosi me Manchester Unitedin”.