Borisov i quan “nxënëse të shkëlqyera” drejt BE-së gjashtë vendet e Ballkanit

Prishtinë | 26 Shk 2018 | 18:54 | Nga

Kryeministri bullgar, Boyko Borissov, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, mbështeti sot anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, në një kohë kur presidenti i Komisionit Evropian, Juncker ndodhet në një turne në rajon.

Borissov i cilësoi si “nxënëse të shkëlqyera” vendet fqinje të Bullgarisë, Maqedoninë dhe Serbinë, pa harruar të thotë të njëjtën gjë edhe për Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën duke përshëndetur reformat politike dhe ekonomike të kërkuara për integrimin në BE.

“Ne të gjithë jemi përpjekur të tregojmë se mund të jemi këta nxënës të shkëlqyer që garantojnë shtetin e së drejtës, konkurrencën dhe zhvillimin ekonomik dhe se ne meritojmë të bëhemi pjesë e BE-së”, konfirmoi Borissov duke luajtur rolin e zëdhënësit të gjashtë vendeve të Ballkanit.

“Nëse ne do të kishim sikur edhe një vend të vetëm jashtë BE-së, atëherë kjo do të ishte një problem për shtetet fqinje”, theksoi ai duke nënvizuar lidhjet ekonomike dhe projektet infrastrukturore që ekzistojnë në rajon.

Ai u shpreh në Londër përkrah kryeministrave të rajonit në kuadër të një konference të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për investimet në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i BERZH, britaniku, Suma Chakrabarti theksoi se anëtarësimi në BE i këtyre gjashtë vendeve përbënte një perspektivë të qartë, inkurajuar nga institucioni.

Ai kujtoi se BERZH kishte investuar tashmë më shumë se 10,3 miliardë euro në rajon për të ndihmuar këto shtet në përpjekjet e tyre për t’u integruar sa më shpejt në BE.

Këto deklarata u bënë në një kohë kur presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker filloi dje një turne në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit ai do të takohet me drejtuesit e këtyre gjashtë vendeve.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë vende mike, aleate dhe partnerë që kanë një perspektivë evropiane”, deklaroi ai dje në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

Turneu i tij do të mbyllet në Sofje, në Bullgari, me një takim me Borissov.

Sipas këtij të fundit, një plan evropian investimesh për riforcimin e rrjeteve rrugore, hekurudhore dhe telekomunikacionit në Ballkan do të njoftohet me këtë rast

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme