Një nga implikimet më të rëndësishme që mund të prodhojë lufta në Ukrainë, sa i përket ndryshimit të konturave të rendit aktual gjeopolitik, mund të jetë edhe ndryshimi i pozicionit të Gjermanisë dhe Japonisë.
Siç dihet, ky rend deri më tani kishte funksionuar, sipas Mark Leonard, në shkrimin “Germany and Japan Are Changing—and So Is the Postwar Order” të botuar para pak dite në “Foreign Affairs” falë “dobësisë artificiale” të këtyre dy shteteve.
Sepse, gjendja e tyre “inferiore” gjeopolitike, që nga ringjallja e tyre ekonomike, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, asnjëherë nuk e ka reflektuar fuqinë e tyre reale. Mirëpo, kjo shpërputhje ndërmjet potencës së tyre reale dhe tërheqjes taktike, ishte edhe rezultat i përfitimeve që këto vende gëzuan nga parimet që u vendosën nga “pax americana”.
Gjermania ia arriti të shndërrohet në një gjigant ekonomik evropian, të ribashkohet si shtet dhe të jetë më e sigurt se asnjë herë më parë në histori. Po ashtu falë shtyllave që dominuan në rajonin e Lindjes së Largët, edhe Japonia, ia doli të shndërrohet në fuqi industriale ekonomike në atë rajon të botës.
Mirëpo, rendi ndërkombëtar nuk është i dhënë një herë e përgjithmonë. Vendet e pakënaqura nga konfiguracioni i forcave që e mirëmbajnë atë, vazhdimisht tentojnë ta cenojnë. Në këtë kontekst, Rusia dhe Kina, janë shembuj të këtyre ambicieve revizioniste. Invazioni Rus në Ukrainë dhe miratimi i heshtur i Kinës, ndaj këtij intervenimi brutal janë shembuj të kësaj tendence. Ky proces a mund të rezultojë me një aleancë të hapur, Sino-Ruso, mbetet të shihet. Sepse, po ashtu edhe këto dy vendet kanë dallime ndërmjet vete se si e shohin pozicionin e njëra tjetrës.
Megjithatë, ky agravim i situatës ndërkombëtare i ka lëkundur besimet e vjetra. Gjermania është në kërkim të një roli më aktiv politik ndërkombëtar. Kurse dhe Japonia ka kohë që ndjehet e shqetësuar nga provokimet gjithnjë e më të shumta gjeopolitike të Kinës.
Ndërkohë, ky ndryshim i Gjermanisë fillimisht u reflektua me një lëvizjeve të theksuar sa i përket e politikave të saj buxhetore për mbrojtje. Kurse siç ka shkruar sot DW, edhe pakoja e fundit ekonomike e Qeverisë Gjermane, prej 200 miliardë euro për të përballuar krizën energjetike, ka shkaktuar një zili të theksuar në vendet tjera evropiane. Kjo pako, parasheh, mbështetjen sipërmarrjeve dhe familjeve gjermane për t’i ndihmuar që të ballafaqohen me ngritjen e çmimeve të energjisë.
Ndërkaq, shumë qeveri të vendeve tjera evropiane janë ankuar se me këtë pako, Gjermania, duke shfrytëzuar fuqinë e saj ekonomike, po i prish rregullat e solidaritetit te përbashkët, sepse ua mundëson kompanive gjermane një avantazh që nuk mund ta kenë në shtetet tjera më të varfra. Prandaj, ato po insistojnë që kjo krizë të menaxhohet nga borxhet e përbashkëta evropiane. E, sipas autoriteteve gjermane, këto kritika janë të paqëndrueshme. Për më tepër, sipas tyre, ekonomia gjermane është me e madhja në Evropë. Dhe nëse kjo ekonomi nuk është stabile, nuk mund te jetë as tregu evropian stabil.
Sidoqoftë, ndryshime të tilla, mund ta nxisin këtë shtet ta kërkojë një relevancë më të madhe për vetën, që të shndërrohet edhe në aktor kryesor sa i përket promovimit të stabilitetit evropian, jo vetëm në aspektin ekonomik dhe por edhe në atë gjeopolitik. Atëherë vetvetiu lind pyetja a është edhe propozimi i fundit franko gjerman, për marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pjesë e këtij, projekti për riaktivizimin gjeopolitik të Berlinit? Ndonëse bashkërendimi me Francën në këtë rast konsiderohet jetik, për t’i dhënë peshë me theksuar të përbashkët evropiane kësaj nisme diplomatike. Megjithatë mbetet të shihet edhe reagimi i Britanisë dhe qartësimi më i madh i SHBA-së për këtë hap të Berlinit dhe Parisit.
Në të kaluarën procese të tilla të rëndësishme ishin menaxhuar nga Grupi i Kontaktit. Mirëpo, sot jemi në një ambient tjetër ndërkombëtar. Një entitet i tillë jo formal diplomatik s’mund të krijohet, pikërisht për shkak të izolimit ndërkombëtar të Rusisë.
Mbase, kjo gjendje mund të shndërrohet në një përparësi për Kosovën, nëse Berlini, Parisi,Uashingtoni dhe Londra, ia dalin që së bashku ta aranzhojnë si duhet procesin e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy vendeve.