Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka bërë të ditur se ekonomia e Kosovës pritet ta mbyllë vitin 2025 me rritje prej 3.9 për qind, ndërsa inflacioni vjetor parashihet të arrijë rreth 3.8 për qind, raporton Ekonomia Online.
Këto vlerësime u prezantuan gjatë paraqitjes së Raportit Vjetor të BQK-së për vitin 2025 para mediave.
Sipas Ismailit, projeksionet ekonomike të BQK-së tregojnë se rritja ekonomike për vitin 2026 pritet të jetë 4.1 për qind, e mbështetur kryesisht nga konsumi privat, megjithëse rreziqet e brendshme dhe të jashtme, përfshirë tensionet gjeopolitike dhe rritjen e ngadalshme të eurozonës, vazhdojnë të paraqesin pasiguri për ekonominë e vendit.
“Sa i përket indikatorëve makroekonomikë të vendit, ne presim që viti të mbyllet me rritje prej 3.9 për qind. Këto janë projeksione që dalin nga departamenti ynë për analiza financiare dhe stabilitet. Ky është në linjë me aktivitetin ekonomik që deri në gjysmën e parë të këtij viti u rrit me 3.8 për qind. Ne parashikojmë që vitin 2026 rritja ekonomike të shkojë në 4.1 për qind, që është e mbështetur nga konsumi privat. Sigurisht, rreziqet dhe pasiguritë mbeten, ato kanë të bëjnë me faktorët e brendshëm që karakterizojnë sistemin tonë ekonomik dhe politik, dhe po ashtu edhe nga rreziqet e jashtme dhe tensionet e tjera gjeopolitike, si dhe rritja e ngadalshme e eurozonës. Duke qenë një ekonomi e varur nga importi dhe gjithashtu e varur nga bashkëpunimi me BE-në, kjo është evidente se do të ketë ndikim”, tha ai.
Sa i përket inflacionit, Ismaili tha se sipas të dhënave deri në muajin tetor, inflacioni në Kosovë ishte 3.6 për qind, ndërsa pritet që viti të mbyllet me rreth 3.8 për qind.
Për vitin 2026, sipas tij, inflacioni parashihet të zbutet në 3.4 për qind, duke shtuar se rritja e inflacionit gjatë vitit 2025 ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimit dhe ka qenë në linjë me dinamikat rajonale dhe evropiane.
“Sa i përket inflacionit, sipas të dhënave deri në muajin tetor, inflacioni në Kosovë ishte 3.6 për qind, ndërsa pritet që të mbyllet viti me rreth 3.8 për qind. Për vitin 2026, ne presim që inflacioni të zbutet në 3.4 për qind. Rritja e inflacionit ka qenë kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimit, ka qenë gjithashtu në linjë me dinamikat rajonale dhe evropiane”, tha ai.
Ai shtoi se gjatë vitit 2025 është vërejtur zgjerim i deficitit të bilancit nga 5 për qind e GDP-së në 7 për qind të GDP-së, derisa eksporti i mallrave ka shënuar ngadalësim krahasuar me dy vitet e mëparshme, ndërsa importi ka vazhduar trendin rritës.
“Shihet që vitin 2025 ka pasur një zgjerim të bilancit në kuptimin e deficitit nga 5 për qind e GDP-së në 7 për qind e GDP-së. Eksporti i mallrave shihet që ka pasur një ngadalësim në vitin e fundit në krahasim me dy vitet e mëparshme, ndërsa importi ka vazhduar një ritëm të rritjes. Një sektor që është duke performuar mirë është eksporti i shërbimeve, ku shihet që rritja është dyshifrore, mes 13 ose 14 për qind rritje në vit. Kurse importi i shërbimeve ka trend rënës. Pra, kjo është një prej elementeve shumë të rëndësishme sepse ndërlidhet me kapitalin njerëzor, intelektual që ka vendi dhe me mundësitë që të rinjtë dhe të rejat të ofrojnë shërbimet e tyre, dhe kjo është që po ndikon në bilancin e pagesave”, tha ai.
Ismaili theksoi gjithashtu se remitencat kanë vazhduar trendin e rritjes dhe pritet që viti të mbyllet me rreth 1.4 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 3.8 për qind. Për vitin 2026, sipas tij, remitencat parashihen të rriten me 5.2 për qind, ndonëse pesha e tyre në raport me bruto produktin vendor ka nisur të ulet për shkak të rritjes së aktivitetit ekonomik.
“Remitencat kanë vazhduar ritmin e rritjes. Ne presim që viti të mbyllet me 1.4 miliardë, ose me një rritje vjetore prej 3.8 për qind. Aktualisht është 1 miliard e 50 milionë, mirëpo me trendin e rritjes aktuale presim 1.4 miliardë euro. Për vitin 2025 e presim që remitencat të vazhdojnë me rritje prej 5.2 për qind, kjo është rritja vjetore. Me rritjen e bruto produktit vendor ndër vite, edhe pesha specifike e remitencave ka filluar të bjerë, sepse ndikimi është më i vogël për nga vëllimi i aktivitetit. Trendi i rritjes pozitive ka vazhduar. Ne presim që të mbyllet me 3.8 për qind këtë vit dhe të vazhdojë me 5.2 për qind vitin që vjen”, tha ai.
Në prezantimin e tij, guvernatori bëri të ditur edhe se është rritur ndjeshëm prania e institucioneve financiare në katër komunat veriore të vendit, si dhe se kreditë bankare kanë shënuar rritje rreth 15 për qind krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 6.5 miliardë euro, çka përfaqëson pothuajse dyfishim krahasuar me pesë vitet e fundit.
“Këtu paraqitet sa ka qenë prezenca dhe sa është sot e institucioneve financiare në katër komunat veriore të vendit. Nga 4 banka, sot janë 12 banka, 12 degë bankare prezente, që janë trefish. Nga 2 mikrofinanca në 3, nga 1 kompani e sigurimit në 4, nga 10 jo-banka në 31. Me një fjalë, numri nga 17 ka kaluar në 30”.
“Kreditë janë rritur rreth 15 për qind në raport me një vit më parë. Në përgjithësi kanë arritur në 6.5 miliardë. Nëse krahasojmë me pesë vitet më parë ishte 3.2 apo 3.3 miliardë, pra dyfishim i kredive”, tha ai.
Në fund të konferencës vjetore, Banka Qendrore e Kosovës ka ndarë edhe Çmimin e BQK-së për “Shkrimin dhe raportimin në gazetari për sektorin financiar”, me të cilin janë vlerësuar disa gazetarë për kontributin e tyre profesional në raportimin ekonomik dhe financiar. Ky çmim iu nda Merita Miftarit nga Gazeta Express, Jehona Hulajt, gazetare dhe redaktore në Telegraf, Nadia Ahmetit, gazetare nga Radio Evropa e Lirë, Mjalinda Dodës, gazetare nga Radio Kosova, si dhe Gjylshahe Beqirajt nga RTV 21. Po ashtu, u ndanë edhe çmimet për kategorinë “Ekonomisti i Ri”, ku çmimin e parë e fitoi Leard Nuredini nga Universiteti i Prishtinës, çmimin e dytë Glauk Haxhijaj nga Universiteti Amerikan në Prishtinë, ndërsa çmimi i tretë iu nda Ermal Malokut nga Kolegji AAB.



