Ndërsa nga janari i këtij viti, hoteli Sheraton u largua nga Shqipëria, një tjetër linjë e njohur do të fillojë të presë klientët e parë në verë.
«Ne do të jemi të lumtur të mirëpresim mysafiret tanë së shpejti në Hilton Garden Inn Tirana. Hoteli, me 141 dhoma, dy suita dhe 6 salla moderne konferencash, pritet të hapet në verën e këtij viti”, ka pohuar drejtori i Përgjithshëm i Hilton Garden Inn Tirana, Z Michael Walker.
“Hilton Garden Inn Tirana është pjesë e markës së shumë vlersuar Hilton Garden Inn, i cili numëron mbi 750 hotele të shpërndara në të gjithë botën. Hilton Garden Inn u ofron klientëve, që udhëtojnë për arsye biznesi apo relaksi, akomodime me çmime mesatare të përballueshme dhe një shërbim të një niveli të lartë për një qëndrim mbresëlënës dhe të rehatshëm. Ekipi i këtij rrjeti hotelesh në të gjithë botën është i angazhuar të garantojë që në përshëndetjen e parë, për udhëtarët përherë e më të zënë, një eksperiencë të ndjerë dhe të paharrueshme.
Priten hotele të tjera me 4 dhe 5 yje pas lehtësive fiskale
Rritja e numrit të turistëve dhe lehtësitë fiskale të ofruara nga qeveria në paketën e fundit fiskale pritet të nxisin orientimin e investimeve vendase dhe të huaja drjet hoteleve me 4 dhe 5 yje.
Sipas ndryshimeve të fundit ligjore, hotelet me 4 dhe 5 yje nuk do të paguajnë tatimfitim për një periudhë 10- vjeçare nëse arrijnë që të përfitojnë statusin special. Sipas ligjit përjashtimi nga tatimfitimi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.
Ligji “Për tatimin mbi Vlerën e Shtuar” këtë vit sjell një nivel të ri zbatimi ku së pari vendosjen e një niveli TVSH-je prej 6 për qind për furnzimin e shërbimeve që ofrohen në hotelet me 5 yje me status special. Deri dje ky nivel TVSH-je ofrohej vetëm për furnizimin e shërbimit të fjetjes në gjithë strukturat akomoduese në vend. Por trajtimi i diferencuar bëhet vetëm për ata me status special që do të thotë se edhe bar-restorantet, saunat, pishinat, shelzonget e këtyre hoteleve do të faturojnë shërbimin me 6% TVSH.
Hotelet kanë lehtësi edhe tek taksa e infrastrukturës. Për të gjithë ata që kanë statusin special si hotele me pesë yje taksa e infrastrukturës do të jetë zero ndërkohe që normalisht për këtë kategori ndërtimi në Bashkinë e Tiranës ajo aplikohet në 4% të vlerës totale të projektit ndërsa në bashkitë e tjera nga 1-3%./Monitor