Britania ka përfituar nga politikat e liberalizmit ekonomik. Të gjitha studimet e bëra tregojnë sesi vitet 1990-2010 kanë qenë vite të rritjes ekonomike falë politikave pro kapitalit të nisura nga Margaret Thatcher dhe të vazhduara më pas nga Toni Blair. Por pavarësisht përfitimeve ekonomike projekti i Bashkimit Evropian nuk arriti dot të jetë po aq efikas në infrastrukturën politike të saj. “Problemi me Evropën është se ti nuk di kë të marrësh në telefon në rast se ke një çështje për të zgjidhur”. Kjo shprehje i atribuohet Henri Kisinxher dhe që përdorej shumë shpesh nga komentatorët e Amerikës për të shpjeguar politikën kontinentit të vjetër dhe përpjekjet për një balancë të fuqive politike në kontinent.
Kriza financiare e vitit 2008 duket sikur i dha një përgjigje këtij defekti Evropian. Duke filluar me krizën në Itali e më pas në Greqi institucionet e rëndësishme financiare si dhe FMN gjithnjë e më shumë prisnin që Angela Merkel të qëndronte në krye të përpjekjeve Evropiane për të zgjidhur morinë e problemeve ekonomike e politike duke filluar që me Grexit, krizën e Euros, krizën e borxhit sovran, krizën e sistemit bankar, problemet me deflacionin dhe me krizën e emigrantëve. Në fakt pas rënies së Murit të Berlinit bashkimi evropian ka qenë më shumë një përpjekje konstante për të shmangur krizën e radhës sesa një alternativë ndaj SHBA për rajonet e tjera të botës. Në optimizmin e viteve 1990 për fundin e Historisë të parashikuar nga Fukujama ne sot përjetojmë ndoshta më shpejt se çmendohej një rikthim të nacionalizmit dhe të historisë së shtetit sovran si organizuesi dhe përfaqësuesi më i mirë i individit në një botë me 7 miliard banorë.
Margaret Thatcher thuhet se ka reaguar ftohtë ndaj librit të Fransis Fokoyama si një përpjekje naive që i merr për të mirëqena ngjarjet në historinë e njerëzimit. Askujt nuk do ti shkonte ndërmend që pikërisht Britanikët do të votonin të dilnin nga klubi më i pasur ekonomik i botës. Por në kontekstin Britanik ata u larguan një bashkim shtetesh që të paktën në dhjetë vjecarin e fundit ishte shndërruar në lajm negativ për publikun e gjerë duke anashkaluar shumë prej përfitimeve ekonomike që ky union i kishte dhënë.
Si e interpretojnë dhe e parashikuan liberalët këtë dalje të Britanisë?
Prej tre vitesh tashmë Fondacioni Për Liri Ekonomike është organizues i një prej lëvizjeve më të rëndësishme liberale në Evropë. Në tre muaj në bashkëpunim me Austrian Economics Centre më shumë se 100 think tanks, politikanë, akademikë e biznesmen organizojnë konferenca në 52 kryeqytete të Evropës. Në këtë pjesëmarrje masive flitet për rëndësinë që ka liria ekonomike e shteteve anëtare që janë në BE por nga ana tjetër flasin për rrezikun që vjen nga imponomi që vjen nga Brukseli apo Gjermania për politika ekonomike harmonizuese për tërë kontinentin. Shumë prej tyre flasin për “çmendurinë” e monedhës së përbashkët te Euros si një simbol të kësaj përpjekjeje të sforcuar të politikeve ekonomike. Në librin “Tragjedia e Euros” profesor Borges shkruan se euro është një projekt politik që lë mënjanë teorinë ekonomike dhe eventualisht ajo do të dështojë.
Si të mos mjaftonte kjo liberalët argumentojnë se Gjermania e ka gabim pretendimin e saj se integrimi i mëtejshëm i ekonomive Evropiane ka nevojë për politika harmonizuese fiskale. Sipas Gjermanisë, një bllok ekonomik me monedhë të përbashkët ka nevojë gjithashtu për politika fiskale të njëjta mes shteteve. Shumë ekonomistë flasin për domosdoshmërinë e harmonizimit fiskal si një instrument për të pasur në harmoni politikat fiskale dhe monetare në Evropë në mënyrë që të mos kemi krizë financiare si në vitet 2008-2012. Por kjo përpjekje për harmonizim të mëtejshëm të Evropës frikëson britanikët. Ekonomistët shpesh riprodhojnë në konsensus të plotë teoritë ekonomike pamarrë parasysh faktet. Në vitin 1982 rreth 360 ekonomistë Kejnsianistë nënshkruan një letër drejtuar THe Times se politikat e Thatcherit do të sillnin rrënimin e Anglisë. Sa gabim e kishin…
Së dyti, liberalët mbështesnin argumentin se poundi është i mbivlerësuar me rreth 10% krahasuar me paritetin e fuqisë blerëse me shtete të tilla si Italia dhe Spanja dhe me Brexit monedha vendase do të zhvlerësohet dhe për këtë arsye kjo është gjë e mirë pasi do ti bëjë produktet Britanike më konkurruese. Zhvlerësimi i poundit të nesërmen e Brexit ishte më i madhi pas asaj që ndodhi në vitin 1992. Sipas Charles Gave në artikullin e publikuar në CAPx, ku Fondacioni për Liri Ekonomike është bashkëpunues, Britania duhet “të largohet nga burokracia monstruoze e Brukselit dhe të rifitojë lirinë për të qenë konkurruese me rajone të tjera në glob”. Ndaj kjo çon në argumentimin e tretë të tyre se përse Brexit ishte i domosdoshëm: liria nga burokracia.
Në këtë çështje The Spectator shkruan së ndihmësi i Cameron vuri re pas një auditimi se vetëm 1/3 e punës që bënin punonjësit në kryeministri kishte lidhje me agjendën e kryeministrit pjesa tjetër ishte punë me kërkesat që vinin nga Brukseli. Kjo sipas tyre ishte pushtimi i burokracisë Evropiane. Për këtë arsye rikthimi i sovranitetit në bërjen e politikave vendase do të ishte e domosdoshme për Brexit.
Por pavarësisht kësaj S’duhet harruar se BE është një bllok ekonomik dhe inkurajon lëvizje të lirë të mallrave dhe njerëzve. Ajo nuk është perfekte por është një mekanizëm i mbingarkuar nga politikat e çdo shteti anëtar. Sipas Bankës së Anglisë Brexit është kërcënimi më i madh që ka ekonomia Britanikë në periudhën afatmesme. Këto janë kohëra të vështira dhe askush nuk di se çfarë forme do të marr Evropa në dy vitet e ardhshme… as liberalët, por një gjë është e sigurt ajo do të jetë më shumë Gjermane.