BSPK: Kërkesat e SBAShK-ut janë të drejta dhe legjitime

Prishtinë | 03 Dhj 2024 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka thënë se BSPK-ja thekson rëndësinë dhe urgjencën e shqyrtimit të kërkesave të ngritura nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit.

Hykolli tha se si një federatë që përfaqëson me dinjitet interesat e mësimdhënësve dhe punëtorëve të arsimit në Kosovë, SBAShK-u ka paraqitur kërkesa legjitime që sipas tij, kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të punës, respektimin e kontratave kolektive dhe fuqizimin e një sektori kritik për të ardhmen e vendit.

“Arsimi, si shtyllë e zhvillimit të një shoqërie demokratike dhe të drejtë, meriton një përkushtim maksimal nga të gjitha institucionet përkatëse. Çdo neglizhencë në trajtimin e këtyre çështjeve reflekton drejtpërdrejt jo vetëm në mirëqenien e mësimdhënësve, por edhe në cilësinë e edukimit që marrin brezat e ardhshëm”.

“Si BSPK, ne jemi të përkushtuar për të mbështetur SBASHK-un në rrugëtimin e tij për të arritur zgjidhje të qëndrueshme përmes dialogut konstruktiv me Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe të Inovacionit. Greva ose protesta nuk janë qëllimi ynë, por mjetet e fundit për të treguar rëndësinë e çështjeve të ngritura dhe për të kërkuar vëmendje institucionale”, thuhet në reagim.

Tutje, Hykolli tha se vetëm përmes dialogut të sinqertë, të bazuar në respektin e ndërsjellë dhe në mirëkuptim, mund të arrihen zgjidhje që përmbushin pritshmëritë e punëtorëve të arsimit dhe të sigurojnë stabilitet në sistemin arsimor.

“Ftojmë Qeverinë dhe të gjitha palët e interesit që të adresojnë me prioritet këto kërkesa dhe të demonstrojnë një angazhim serioz për përmirësimin e kushteve në sektorin e arsimit”.

“BSPK qëndron e angazhuar në rolin e saj për të ndërmjetësuar dhe lehtësuar një proces dialogu që promovon drejtësinë, transparencën dhe barazinë në trajtimin e të drejtave të punëtorëve. Ne mbetemi të hapur për bashkëpunim dhe kontribuojmë për të siguruar që arsimtarët tanë të jenë të mbështetur dhe të vlerësuar siç meritojnë”, thuhet në reagim.

Të ngjashme