Ish-deputeti Shukri Buja ka thënë se PDK duhet të shkojë në opozitë për të nisur reformat dhe shpëtuar nga rënia e përkrahjes. Ka thënë se koalicioni me AAK-në e Nismën doli se ishte gabim. Thotë se votuesi i PDK-së s’e pranoi Haradinajn për Kryeministër dhe as emrat e rinj për deputetë të kësaj partie. Pasi nuk u bë pjesë e listës së deputetëve, tash, Buja thotë se s’ka interes as të rikandidojë për Kryetar të Lipjanit.
Shukri Buja ishte zyrtari që më së shumti kishte kërkuar shkarkimin e Isa Mustafës dhe shkuarjen në zgjedhje të reja parlamentare. Por, kur ra Qeveria dhe u hartuan listat për deputetë, Buja nuk u lejua të ishte pjesë e këtyre listave për shkak se ende ballafaqohet me një akuzë për kohën sa ishte Kryetar komune.
Tash pas zgjedhjeve, ish-deputeti thotë se partia e tij, PDK, duhet të shkojë në opozitë për të shpëtuar nga rënia e mëtutjeshme e përkrahjes së votuesve.
“Sipas meje, më së lehti PDK ta qartësojë pozicionin e vet politik, të formojë grup të jetë në opozitë. AAK e Nisma të shkojnë në opsione të tjera”, propozon Buja.
Buja thotë se PDK mori 16 deputetë më pak në zgjedhjet e fundit për shkak se koalicioni me AAK’në e NISMA’n ishte gabim. Për këtë arsye, ai thotë se Partia që udhëhiqet prej Kadri Veselit duhet të shkojë në opozitë.
“Ka shumë por hala s’i kanë analizuar. Realisht ne jemi dobësuar shumë me koalicionin që e kemi bërë. Një pjesë e elektoratit ka qenë e zhgënjyer për Ramush Haradinajn Kryeministër dhe nuk kanë dalë në zgjedhje”, thotë Buja, në një intervistë për Express.
Ish-Kryetari i Lipjanit thotë se faktori tjetër që ndikoi në rënien Partisë ishte edhe koalicioni me Fatmir Limajn e Jakup Krasniqin të cilët kishin drejtuar akuzat më të rënda ndaj PDK’së.
“Realisht, jemi bërë bashkë me njerëzit që jemi sha deri në momentin e fundit. Faktori tjetër, anëtarësia e PDK-së s’ka mundur ta pranojnë Ramush Haradinajn kryeministër. Pastaj një pjesë e kandidatëve nuk ishin në lista për shkak të kufizimeve.
Në zgjedhjet e fundit, PDK bashkë me AAK-në e Nismën dhe 11 parti tjera kanë fituar 39 mandate në Parlament. Prej tyre 21 PDK, 10 AAK e 8 NISMA.
Për këtë rezultat, Buja thotë se secili në PDK duhet të japë përgjegjësi varësisht prej pozitës që ka.
“Përgjegjësinë bazuar në pozitën udhëheqëse në PDK”, ka shtuar ai.
“Po të pyetesha unë do të shkoja në opozitë. Do të ishim një opozitë konstruktive. Me refermu partinë në kuptimin pozitiv jo të eliminimit. Me analizë se kush politikan, kush është hyn vetëm për poste e dredhi”, ka shtuar ai.
Buja paralajmëron rezultatet të këqija për PDK’në edhe në zgjedhjet lokale nëse nuk ndodhin reforma rrënjësore.
“Nuk jam i interesuar për kandiduar për Kryetar të Lipjanit”, ka shtuar ai.