Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shukri Buja, nuk i quan më parti të krahut të luftës PDK-në, AAK-në dhe Nismën, ndërsa nuk e përjashton asnjë parti nga koalicionet e mundshme për zgjedhjet e ardhshme.
Buja madje nuk vë “vija të kuqe” as për Vetëvendosjen, ndryshe nga deklaratat e zyrtarëve këtij subjekti. Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka thënë për “Kosova Post” se PDK-ja nuk e konsideron armike asnjë parti politike dhe nuk vë vija të kuqe për askënd. ”Ne nuk duhet të kemi vija të kuqe me partitë politike që i kemi kundërshtare politike. Ne nuk e kemi asnjë parti armike”, ka thënë Buja.
Ai është shprehur se edhe nëse Vetëvendosje shkon në zgjedhje e vetme, atëherë nuk përjashtohet mundësia për koalicione paszgjedhore. Ai thotë se PDK-ja është e interesuar të bëjë koalicione me partitë që kanë programe të përbashkëta. “Insistimi ynë, pra i PDK-së duhet të jetë për koalicione me partitë që kemi shumëçka të përbashkët”.
Ndërkohë i pyetur nëse partitë e ashtuquajtura “të krahut të luftës” do të jenë më të përshtatshme për PDK-në, Buja ka thënë se lutaf ka përfunduar moti dhe ky epitet nuk duhet të përdoret më.
“Ju lutem unë nuk i quaj kështu sepse partitë kanë programet e tyre dhe personalitetet e tyre politike. Lufta ka vite që ka përfunduar. Ose është ndërprerë!”, është shprehur Buja, i pyetur se a janë partitë e krahut të luftës (PDK-AAK-NISMA) si ideale për qeverisjen e ardhshme të Kosovës.