Bullgaria ia refuzon vizën një atasheu rus

Prishtinë | 31 Tet 2019 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Bullgaria ia refuzoi vizën afatgjate atasheut rus të Mbrojtjes, një ditë pasi dëboi një diplomat rus nën dyshimin e spiunazhit.

Ministria e Jashtme e Bullgarisë, më 30 tetor, tha se gjatë shqyrtimit të kërkesës për vizë, kishte një “mendim negativ” për të dërguarin rus, por se vendimi nuk do të thoshte që zyrtari konsiderohej person non grata (i padëshiruar).

Nuk janë dhënë detaje në lidhje me arsyen e refuzimit të vizës.

Diplomati tjetër që u dëbua nga vendi, ishte larguar bashkë me familjen e tij, tha ministria e Jashtme bullgare.

Sofja ndërmori veprimin e pazakontë për dëbimin e diplomatit, pasi nuk u zbatua kërkesa ndaj autoriteteve ruse për ta tërhequr atë në Moskë.

Ambasada Ruse konfirmoi marrjen e kërkesës për dëbim, dhe tha se punonjësi i saj do të respektonte një afat 24-orësh për t’u larguar nga Bullgaria.

Në Moskë, zëvendës-ministri i Jashtëm rus, Aleksander Grushko tha se Rusia do t’i përgjigjej dëbimit të punonjësit të saj të ambasadës nga Bullgaria.

As Ministria e Jashtme Bullgare, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Sofje dhe Ambasada Ruse nuk e kanë zbuluar emrin e spiunit të dyshuar.

Procedimet paraprake hetimore ndaj punonjësit të Ambasadës Ruse u pezulluan me arsyetimin se i dyshuari kishte imunitet diplomatik.

Prokurorët dyshonin se ai kishte mbajtur takime konspirative me zyrtarë të lartë të Bullgarisë, përfshirë edhe ata që posedonin informacione të klasifikuara për Bullgarinë, NATO-n dhe çështjet e Bashkimit Evropian.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Sofje tha se i dyshuari rus kishte për qëllim t’ia dorëzonte informacionin një vendi të huaj.

Bullgaria u bë anëtare e NATO-s në mars të vitit 2004 dhe u anëtarësua në Bashkimin Evropian më 2007.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme