Vetëm pak orë para se të fillonte seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, në të cilën mes të tjerash është shqyrtuar buxheti për vitin 2019, kryeministri Ramush Haradinaj ka liruar nga detyra ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ky ka qenë një nga kushtet që Partia Socialdemokrate i kishte vendosur në këmbim të votës për buxhet, i cili u miratua në seancën maratonike. Aprovimi i Ligjit për buxhet ka shmangur bllokadën qeveritare, të rrezikuar nga mungesa e numrave të Listës Serbe.
Pas debateve të shumta e “pazareve” për projekte të ndryshme, në orët e hershme të mëngjesit, pas 16 orëve punë, deputetët e shumicës të përkrahur nga PSD-ja miratuan buxhetin në vlerë 2 miliardë e 370 milionë euro.
Gjatë seancës janë shqyrtuar rreth 150 amendamente, ndërsa debate të shumta ngjallën amendamentet të cilat u propozuan pa përkrahjen e Komisionit funksional dhe pa pasur mbështetje financiare.