Bytyqi: Arsimi ballafaqohet me shumë probleme, buxheti për këtë fushë jo i kënaqshëm

Prishtinë | 24 Dhj 2018 | 13:11 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, sot ka raportuar në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi lidhur me gjendjen në arsim.

Fokus i diskutimit ishte Projektbuxheti i MAShT-it për vitin 2018, raporton Ekonomia Online.

Edhe pse ky komision nuk pati kuorum pasi që aty mungoi deputetja nga radhët e Nismës Socialdemokrate si dhe anëtarja e komisionit Albulena Balaj Halimaj.

Edhe pse kishte mungesë kuorumi aty u vazhdua të raportohej për buxhetin e vitit 2018 si dhe projektbuxhetin e MAShT-it për vitin 2019.

Ministri i MAShT-it, Shyqiri Bytyqi tha se rritja e buxhetit për vitin 2018 për arsimin është 19% edhe pse kjo rritje e buxhetit sipas Bytyqit nuk është e kënaqshme për strukturat e MASHT-it.

“Konsideroj se para të flasim për detaje të buxhetit dua të bëjë një përshkrim të angazhimit të vitit 2018. Është bërë një angazhim i përbashkët për rritje të buxhetit. Në buxhetin i cili është miratuar në kuvendin e Kosovës kemi një rritje 19% në buxhet. Kjo rritje buxhetore nuk do ishte e kënaqshme për më i mbulu të gjitha aktivitetet”, tha ai.

Bytyqi tha se MASHT pret ndihmë edhe nga akterët ndërkombëtarë sa i përket buxhetit të arsimit.

Ai tha se bartja e teksteve shkollore në mallra dhe shërbime i kanë sjellë MAShT-it një rritje prej 6 milion euro.

“Këtë vit ka rritje 11 milion euro të cilat janë shtesë për vitin 2019. Këtu kemi edhe një lëvizje të kategorisë së librave, investimet në këtë fushë kanë qenë në kuadër të investimeve kapitale e që këtë vit ka kaluar në linjën buxhetore për mallra dhe shërbime. Një pjesë të buxhetit të arsimit edhe këtë vit shpresoj që do ta realizojmë edhe përmes bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë”, tha Bytyqi.

Deputeti Ismajl Kurteshi, anëtar i Komisionit për Arsim, tha se gjatë këtij viti, gjatë raporteve në komisionin për arsim ka pas shumë çështje të papranueshme sa i përket nivelit të arsimit.

“Ka pas çështje të papranueshme për ne sa i përket arsimit siç është çështja e mësuesve pa pagesë si ajo në shkollën “Mihal Grameno”, pastaj ka pas edhe trajnime të shtrenjta, pastaj vonimi i fillimit shkollor, dhe raporti i UNICEF-it se analfabetizmi në Kosovë ka arritur në 80%. Me buxhetin e planifikuar kemi vërejtur që keni planifiku vetëm 1 milion euro për laboratorët për mjete pune dhe në anën tjetër mungesa e laboratorëve.”, tha Kurteshi.

Deputetja nga radhët e LVV, Arbërie Nagavci, tha se sipas disa hulumtimeve nga komisioni, por edhe nga instituti GAP, del që rritja buxhetore nuk është 19% por 10%.

Nagavci pati edhe disa pyetje drejtuar ministrit Bytyqi, deri sa edhe tha se shumë raporte ndërkombëtare po thonë që gjendja në arsim nuk është e kënaqshme.

“Duke fillu prej deklaratës të juaj në bazë të analizës që kemi bërë rritja e buxhetit të arsimit këtë vit është vetëm 10 % e jo 19% siç thatë ju. Shumë raporte po na thonë që gjendjen nuk e kemi mirë në arsim”, tha ajo.

Ndërsa deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu tha se problem në sistemin e arsimit mbetet çështja e mospërfshirjes së fëmijëve në nivelin parashkollor.

“Rritja e buxhetit për arsim është pak për secilën Qeveri. Një qasje e drejtë, por jo e mjaftueshme është bërë në këtë qeverisje. Problemi kryesor është tek mospërfshirja e fëmijëve në nivelin parashkollor. Fokusin duhet ta kemi këtu ti kemi të gjithë fëmijët e përfshirë në nivelin parashkollor”, tha ajo.

Ndërsa Driton Çaushi nga PSD-ja tha se problematikë në nivelin arsimor mbetët çështja e mungesës së komunitetit rom, ashkalinjë në nivelin e ulët dhe të larë shkollor. Çaushi lidhur për këtë çështje pati edhe një rekomandim për ministrin Bytyqi.

“Trajtimi i buxhetit është një prej mënyrave që mund të flasim për buxhetin në arsim. Mendoj që këto probleme janë strukturore. Nuk presim që buxhetin ta ndryshojmë brenda një viti. Por nuk mund të themi se ky buxhet nuk është i kënaqshëm. Do ndalem tek dy çështje, e para është për një hulumtim që ju e keni iniciuar në lidhje me universitetet publike po e përmendi që barra buxhetorë është 27 milion euro. Ju na keni thënë që ky raport nuk ka marrë vëmendjen e qeverisë dhe ka mbet në zyret e juaja.Ky nivel i organizimit të lartë besoj që ka dëmtuar shoqërinë”, tha Çaushi.

“Çështja e dytë ka të bëjë me një grup të margjinalizuar është fjala për një brengë të shumë organizatave që merren me komunitetin rom ashkalinjë, pasi që pjesëmarrja e tyre në nivelin e ulët shkollor është shqetësuese. Rreth 60% dhe konsiderojmë që kjo pjesëmarrje mund të rritet me krijimin e disa qendrave për trajtimin e kësaj pjese dhe përqindja e kësaj rritje është 85 %. Për këto qendra kemi konsideruar se duhet të ndahen 500 mijë euro nga buxheti”, tha Çaushi.

E Ministri Bytyqi pati edhe përgjigje për pyetjet e anëtarëve të komisionit.

“Sistemi arsimor të gjithë e dimë që ka problematika të madha dhe do na duhej një kohë e gjatë të i numërojnë ato problematike dhe nuk duhet të zgjidhen vetëm nga MAShT-i. Jemi të gatshëm të hulumtojmë të i zgjidhim problemet, por të i japim mundësi edhe të gjithë akterëve të ndihmojmë rreth procesit arsimor”, tha ai.

Për çështjen e mësimdhënësve në shkollën “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, të cilët nuk figurojnë në listat e pagave për vitin 2018, ministri Bytyqi tha se kjo nuk është çështje e MAShT-it, por çështje e Ministrisë së Financave dhe Komunës.

“Po ndalem te çështja e mësimdhënësve. Kjo nuk është çështje e MAShT-it, por çështje e komunës dhe Ministrisë së Financave. Ne jemi marrë me këtë problem aq sa na mundëson neve aspekti ligjor. Sa i përket çështjes së trajnimeve shuma nuk është 3 mijë euro, por 1 mijë euro”, tha ai.

Ndërsa për laboratorët Bytyqi tha se MAShT-i nuk ka aq buxhet që ti mbulojë të gjitha shkollat me laboratorë dhe mjete teknike.

“Sa i përket laboratorëve do na duhej një buxhet i madh ta përfshijmë këtë pjesë, me buxhetin që kemi nuk mund ta zgjidhim këtë”, tha Bytyqi.

Të ngjashme