Bytyqi: Po bëjmë përpjekje që të krijojmë politika të mirëfillta për integrimin e të drejtave të fëmijëve

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 15:56 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka filluar punime Konferenca Ndërkombëtare dedikuar “Shëndetit, Mirëqenies dhe të Drejtave të Fëmijëve”, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, tha se rinia dhe fëmijët janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë dhe për këtë atyre duhet t’u ofrohen kushtet e përshtatshme për zhvillimin e tyre.

“Konferencat e tilla e kanë një vlerë të shtuar sepse diskutojmë për pjesën më të rëndësishme për shoqërinë për fëmijët dhe të rinjtë. Pasuria më e madhe janë të rinjtë tanë. E kemi obligim të kujdesemi për të rinjtë dhe fëmijët që t’u ofrojmë kushte dhe të rriten shëndetshëm e të jenë të gatshëm për udhëheqjen e shoqërisë”, tha ai.

Ai tha se fëmijët duhet t’i shtyjnë politikbërësit që të marrin përgjegjësitë e tyre për të drejtat që atyre u takojnë.

“Kërkoj nga fëmijët që çdo ditë të na mbajnë obligues e përgjegjës për të drejtat e tyre. MASHT në bashkëpunim me institucionet e tjera po bëjmë përpjekje që të kemi ndërtim të politikave të mirëfillta që të integrohen të drejtat e njeriut dhe fëmijëve në mënyrë që të marrim pjesë në reformat më të mira për edukimin e tyre”, shtoi ai.

Bytyqi tha se MASHT-i ka punuar shumë që fëmijëve dhe rinisë së Kosovës t’ju ofrohet mjedis i mirë për zhvillim, por që ende ka shumë punë për të bërë.

“Na takon neve t’u krijojmë mundësi dhe të jenë bartës të proceseve të rëndësishme në jetën tonë, ne si MASHT përveç politikave të mirëfillta për të drejtat e fëmijëve që tani i kemi në kurrikula ende kemi shumë punë për të bërë“, tha Bytyqi, raporton EO.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se Kosova është me fat që ka një rini kaq të madhe në vend dhe krerët institucional duhet të bëjnë çmos që të rinjtë tanë të kenë zhvillim të mirë në jetë.

“Ne e kemi popullsinë me numrin më të madh të rinisë dhe ky është bekim nga Zoti i dhënë kësaj shoqërie. Situata se çfarë i ofrojmë fëmijëve për zhvillim varet nga ne që jemi në krye të institucioneve të ndryshme për të avancuar dhe mbrojtur të drejtat e fëmijëve dhe të promovojmë vlerat që jemi zotu me Kushtetutën e Kosovës”, tha Jashari.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, tha se puna e UNICEF-it është për të avancuar të drejtën e fëmijëve kudo që ata kanë lindur.

Ai tha se Kosova ka shumë potencial me rininë që e ka.

Sahin tregoi për aktivitetet që UNICEF-i i organizon, e njëjtë ishte edhe në muajin prill ku erdhi në Kosovë këngëtarja Rita Ora e cila vizitoi disa fëmijë që kanë nevojë të avancohen dhe t’u jepet më shumë hapësirë dhe kushte.

“Kudo që ka lind fëmija është fëmijë, ne e mbështeteshim planin e veprimit për të avancuar të drejtat e fëmijëve. Fëmijët nuk janë të gatshëm për shkollë dhe duhet bërë më shumë në këtë drejtim, të përmirësojmë cilësinë e arsimit në Kosovë”, tha Sahin.

Drejtoresha Nacionale e SOS Fshatrave të Fëmijëve, Nezahate Salihu, tha se shpreson se institucionet do të përfitojnë nga kjo konferencë për të parë nga afër se çfarë u ndihmon fëmijëve në avancimin e tyre.

“Pasuria e një kombi nuk është edhe aq në zhvillimin ekonomik dhe bukuritë natyrore, por në të pasurit fëmijë dhe të rinj të shëndetshëm. Këtë vit jemi duke punuar në mbështetjen e fëmijëve pa përkujdes të familjes që dalin nga forma të ndryshme të mbështetur në alternativë dhe për të gjetur lehtësi në sfidat e tyre në këtë proces”, tha ajo.

“…Besoj se kjo konferencë do arrij që përmes punimeve, diskutimeve të nxjerr rezultate dhe rekomandime që do ndikojnë tek institucionet përgjegjëse dhe të sigurojnë shërbime cilësore në fushën e shëndetit, mirëqenies tek te rinjtë etj”, tha Salihu.

Konferenca është nismë e organizatës jo qeveritare Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore (QHPSM) dhe këtë vit organizohet në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve.

Image may contain: 1 person, standing and outdoor
Image may contain: 8 people, people smiling, people standing and suit

Të ngjashme