Bytyqi premton përmirësim të infrastrukturës në shkollën “Mehdi dhe Sylejman Bytyqi”

Drenas | 16 Nën 2018 | 11:16 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, gjatë vizitës në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Mehdi dhe Sylejman Bytyqi” në Drenas, tha se kërkoi nga drejtori dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle angazhim edhe më të madh në edukimin e të rinjve.

Bytyqi u zotua që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do ta marrë përsipër përmirësimin e infrastrukturës së kësaj shkolle, raporton Ekonomia Online.

“Ne bashkëbiseduam me drejtorin, me mësimdhënësit dhe kërkuam nga mësimdhënësit të angazhohen shumë që të rinjtë tanë ta përfitojnë edukimin dhe cilësinë çfarë ne kërkojmë. U zotuam që nevojat që ka shkolla për infrastrukturë, për pjesë shtesë t’i marrim përsipër ne si Ministri e Arsimit”.

Bytyqi tha se e konsideron ndihmën e mësimdhënësve dhe të prindërve si shumë të vlefshme për zgjidhjen e problemeve të arsimit, raporton EO.

“Ne jemi në fazën draftike që ka të bëjë me politikat e shkollës, për të cilat presim edhe ndihmën nga mësimdhënësit, sepse konsideroj se më mirë sesa që mësimdhënësit që i njohin problemet brenda shkollës dhe brenda klasës nuk i njeh askush. Diskutuam edhe për qasjen e re që duhet ta kemi me angazhimin e prindërve që së bashku t’i tejkalojmë problemet që janë në sistemin arsimor të Kosovës”.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Drenasit, Tafil Halilaj, tregoi se vizita e ministrit ishte e mirëpritur nga kjo komunë.

“Vizitën e ministrit të Arsimit e kemi pritë mjaft mirë, sepse sado që ne flasim, ministri kur i sheh për së afërmi nevojat e shkollave dhe i dëgjon kërkesat e mësimdhënësve, kjo ne na inkurajon për punë më të suksesshme.

“Mendoj se do të jetë vetëm fillimi i investimeve që premtoi ministri në këtë shkollë. Kemi edhe kërkesa të veçanta, sepse të investosh në shkolla është një hap mjaft pozitiv, është të investosh në të ardhmen e një shteti”.

Drejtori i ShFMU “Mehdi dhe Sylejman Bytyqi”, Bejz Bytyqi, tregoi se gjatë takimit janë zotuar në përmbushjen e detyrave për ngritjen e cilësisë në mësimdhënie.

“Ne u zotuam që do t’i përmbushim me përpikëri të gjitha detyrat që i kemi të parashtruara para vetes për ngritjen e cilësisë në mësimdhënie. Morëm zotimin dhe përkrahjen nga ministri që do të kemi mbështetjen që t’i çojmë proceset përpara në aspektin material dhe në aspektin e zbatimit të kurrikulave për ngritjen e cilësisë në mësimdhënie”.

Image may contain: 4 people, people standing and outdoor

Image may contain: 3 people, people standing and suit

Image may contain: 5 people

Të ngjashme