Bytyqi thotë se shkollat do të pajisen me telefon për nevojat e nxënësve

Prishtinë | 30 Nën 2018 | 15:48 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka mbajtur konferencë për medie lidhur me vendimin e djeshëm për ndalimin e përdorimit të telefonit gjatë procesit mësimor në shkolla.

Bytyqi ka thënë se para këtij vendimi do të gjenden drejtorët e shkollave si bartës kryesorë, ndërsa tha se prindërit do të kenë rol kyç në këtë proces, raporton Ekonomia Online.

Ministri tha se mësimdhënësve do t’u lejohet të përdorin telefonat e tyre personal vetëm gjatë pushimeve të ditës dhe në zyrat e tyre, ndërsa theksoi se për çdo nevojë të nxënësit që mund të ketë, për të telefonuar prindërit apo kujdestarët, do të vendosen të paktën nga një telefon në çdo shkollë.

“Qëllimi këtij vendimi ka qenë ta rregullojmë mbarëvajtjen e mësimit shkollor. Kemi pas shumë sugjerime, vërejtje nga prindërit dhe menaxhuesit e shkollave, që po bëhen pengesë telefonat. Pas kësaj kemi marrë vendim se është shumë e nevojshme ndalimi i telefonave si për nxënës ashtu edhe për mësimdhënës. Do ta zbatojmë bashkë me drejtorët e shkollave. Ata do jenë bartësit kryesorë të kësaj”, tha Bytyqi.

“Mendojmë se gjatë dhjetorit do qartësohen të gjitha gjërat dhe do jemi të informuar për të gjithë akterët që do jenë të përfshirë , një rol të rëndësishëm do ta kenë edhe prindërit.  Konsideroj se me këtë vendim ne po ngrisim në një nivel më të lartë të përgjegjësisë në institucionet tona. Mësimdhënësve do u lejohet telefoni vetëm në ambientin ku e kanë vendqëndrimin, pra në zyre dhe jo në klasë e as korridore”

Ai tha se me këtë vendim , nxënësit do të përfitojnë më shumë. Ministri Bytyqi foli edhe për digjitalizimin në shkolla.

“A përfiton më shumë një nxënës apo ngecë më shumë, ne e kemi analizuar dhe ka dalë që shkakton vetëm pengesë. Shkollat duhet të digjitalizohen por me forma të tjera. Mekanizmi më i mirë është drejtori i shkollës. Nuk do ketë përjashtim, nëse ka nevoja të veçanta, do të gjenden kushte të posaçme. Do mundohemi që çdo shkollë ta ketë minimum një telefon, që nëse ka nevojë ndonjë nxënës mund të bisedoj më prindin, drejtorin apo kujdestarin e shkollës”, tha Bytyqi.

 

Të ngjashme