Ndonëse vlerësohet të ketë pasë performancën më të mirë se herë të kaluara, megjithatë, Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se ajo që bie në sy është mungesa e mbledhjeve të KQZ-së, gjë e cila nuk do të duhej të ndodhte por do të duhej të kishte raportime dhe diskutime më të detajuara mbi aspektet teknike dhe operacionale të procesit zgjedhor.
“Pa dyshim, në këto zgjedhje KQZ-ja ka pasur një nga performancat më të mira ndonjëherë, sa i përket rezultateve zgjedhore. Platforma elektronike ka funksionuar pa probleme, përditësimet kanë qenë të shpeshta, ndërsa të dhënat – nga rezultatet e detajuara për secilën kategori, te ndarja e mandateve e plot elemente të tjera – kanë qenë realisht në një nivel të ri. Megjithatë, ajo që bie në sy është mungesa e mbledhjeve të KQZ-së, që pas ditës së zgjedhjeve. Prej më shumë se 10 ditësh nuk është mbajtur asnjë mbledhje formale ku do të duhej të kishte raportime dhe diskutime më të detajuara mbi aspektet teknike dhe operacionale të procesit zgjedhor, sidomos mbarëvajtjen e kësaj faze. Pra, puna teknike ka qenë tejet pozitive. Tani, ajo do të duhej të plotësohet edhe me më shumë transparencë dhe llogaridhënie institucionale”, shkroi Cakolli.