Një javë pas aktgjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka ngritur një reflektim mbi rolin e UÇK-së në historinë e Kosovës dhe mënyrën se si shoqëria po e përjeton këtë periudhë.
Cakolli përmes një postimi në profilin e tij në rrjeitn social Facebook, ka shtruar pyetjen se si do të dukej jeta e qytetarëve të Kosovës sot, nëse rreth 30 vjet më parë themeluesit dhe pjesëtarët e parë të UÇK-së do të kishin zgjedhur rrugën më të sigurt për veten dhe familjet e tyre.
Sipas tij, nëse ata do të kishin zgjedhur të vazhdonin jetën personale, të largoheshin jashtë vendit apo të prisnin që çështja e Kosovës të zgjidhej përmes ndryshimeve politike, sot mund të ishte ndryshe edhe realiteti politik dhe shoqëror i vendit.
“Çka sikur të gjithë të kalkulonin ngushtë siç, me shumë gjasë, shumica do ta bënte sot?”, ka shkruar Cakolli, duke theksuar se pyetja kryesore nuk do të ishte vetëm se çfarë do të shkruhej në librat e historisë, por se “ku do të ishim ne vetë”.
Ai ka vënë në pah se liria, me kalimin e kohës, mund të perceptohet si një gjendje e natyrshme, duke bërë që të harrohet se sa e largët dhe e pasigurt ka qenë ajo vetëm një gjeneratë më parë.
Sipas Cakollit, debati i ditëve të fundit rreth aktgjykimit në Hagë ka rikthyer në vëmendje edhe pyetjen se çfarë përfaqëson UÇK-ja për shoqërinë kosovare.
Ai ka argumentuar se, përtej debateve mbi akuzat për krime ndaj civilëve dhe kundërshtarëve politikë, aktgjykimi ka nxitur një afërsi të re publike me simbolikën e UÇK-së.
“Një aktgjykim që, sipas mënyrës se si u lexua, tentoi me i goditë ata që e krijuan dhe udhëhoqën UÇK-në, në mënyrë paradoksale, prodhoi një efekt krejt tjetër në Kosovë”, ka shkruar ai.
Cakolli ka vërejtur se ditëve të fundit emblema e UÇK-së është parë më shpesh në veshje dhe automjete, ndërsa këngët patriotike janë rikthyer në hapësirat publike.
Ai e lidh këtë veçanërisht me mënyrën se si një pjesë e të rinjve në Kosovë e perceptojnë UÇK-në, jo vetëm si një kapitull historik, por si simbol të lirisë së sotme.
“Për shumë njerëz, sidomos për rininë e Kosovës, UÇK-ja nuk është vetëm një kapitull i së kaluarës, por është vetë kuptimi dhe emri i lirisë që gëzojmë sot”, ka deklaruar Cakolli.
Sipas tij, gjatë më shumë se dy dekadave, debati për UÇK-në është zhvilluar kryesisht përmes zhvillimeve të pasluftës, partive politike, pushtetit, akuzave dhe proceseve gjyqësore.
Ai vlerëson se kjo ka bërë që diskutimi për vetë luftën dhe kuptimin e saj të zëvendësohej gradualisht nga debati për figurat politike që dolën nga lufta.
Duke iu referuar ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, Cakolli ka thënë se, përtej fatit individual të tyre, qytetarët po rikthehen te ideja fillestare që ata dhe shumë të tjerë përfaqësuan gjatë viteve të luftës.
Cakolli ka theksuar se simbolika e UÇK-së, sipas tij, nuk duhet të shihet si pronë e një individi apo grupi politik.
“Para se të jetë e kujtdo, UÇK-ja, duke na e bërë dritë lirinë që e gëzojmë sot, është e të gjithëve”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Një javë prej aktgjykimit në Hagë, përtej debatit për dënimet, drejtësinë, politikën dhe atë që do të ndodhë më tutje, është një pyetje që besoj sqaron një pjesë të mirë të sentimentit që është krijuar. A thua, si do të dukej jeta jonë sot sikur, para gati tridhjetë vjetësh, njerëzit që e themeluan UÇK-në ta kishin zgjedhë secili rrugën më të sigurt për veten dhe familjet e tyre?
Sikur njëri ta kishte vazhdu fakultetin, tjetri ta kishte mbajtë punën, dikush të kishte ikë në Gjermani apo Zvicër, dikush të kishte vendosë se i kishte fëmijët e vegjël dhe shumëçka për të humbur, ndërsa të tjerët të kishin pritë edhe pak, me shpresën se bota do ta zgjidhte Kosovën ose se Serbia një ditë do të ndryshonte vetvetiu. Çka sikur të gjithë të kalkulonin ngushtë siç, me shumë gjasë, shumica do ta bënte sot?
Mbase atëherë pyetja kryesore s’do të ishte çka do të shkruhej sot në librat e historisë apo të gjeografisë, por ku do të ishim ne vetë. Në cilin shtet do të zgjoheshim çdo mëngjes, në çfarë gjuhe do të shkonin fëmijët tanë në shkollë, çfarë pasaporte do ta mbanim në xhep, cilat institucione do t’i kishim për t’i kritiku, për cilat zgjedhje do të përplaseshim politikisht dhe a do ta kishim këtë luksin kaq të zakonshëm sot, që Kosovën shtet me e marrë si diçka të kryer e pastaj me ia numëru përditë dështimet e të metat.
Sepse liria, kur zgjat mjaftueshëm, fillon me të u dukë si gjendje natyrore. Harrohet sa e largët ka qenë veç një gjeneratë më herët dhe sa e pabesueshme mund t’u jetë dukë njerëzve ideja se një ushtri e vogël, e nisur prej njerëzve me shumë pak përballë një shteti shumë më të fuqishëm, mund ta çonte Kosovën deri te pika ku jemi sot. Para se kjo liri të bëhej rutinë e jona, dikush është dashtë me e marrë seriozisht, me besu në të dhe me luftu për të atëherë kur ende dukej pothuajse e pamundur.
Mbase kjo është edhe arsyeja pse kjo javë ka prekë kaq shumë njerëz dhe e ka zgjuar këtë emocion që po e përjetojmë përditë. Një aktgjykim që, sipas mënyrës se si u lexua, tentoi me i goditë ata që e krijuan dhe udhëhoqën UÇK-në, në mënyrë paradoksale, prodhoi një efekt krejt tjetër në Kosovë. Në vend se ta zbehte afërsinë me UÇK-në për shkak të akuzave për krime ndaj civilëve dhe kundërshtarëve politikë, e nxori përsëri në sipërfaqe një pyetje që për vite kishte mbetë diku nën gjithë zhurmën e politikës ditore. Çka ka qenë në të vërtetë UÇK-ja për ne dhe sa prej jetës që bëjmë sot do të ekzistonte pa guximin e atyre që e formuan dhe të mijëra burrave e grave që luftuan nën emrin e saj?
Dhe mbase pikërisht për këtë, edhe emblema e UÇK-së po duket ndryshe këto ditë. E sheh në bluza, në kapela e në vetura, te njerëz që deri dje s’e kishin mendu veten duke e mbajtë në publik. I dëgjon kangët patriotike që kumbojnë gjithandej në sheshe, lokale e vetura, ndonëse për vite të tëra ato ishin dëgjuar kryesisht në përvjetorë.
Kjo pjesë është më interesante se vetë simbolika, sepse tregon se për shumë njerëz, sidomos për rininë e Kosovës, UÇK-ja nuk është vetëm një kapitull i së kaluarës, por është vetë kuptimi dhe emri i lirisë që gëzojmë sot. Për mbi 20 vjet, debati publik për UÇK-në është zhvilluar kryesisht përmes asaj që ndodhi pas luftës, përmes partive, pushtetit, përplasjeve politike, akuzave, gjykatave dhe krejt zhgënjimeve që një shtet i ri i din me prodhu shpejt. Dalëngadalë, e shpesh pa e vërejtë fare, debati për njerëzit që dolën prej luftës e zuri vendin e debatit për vetë luftën dhe kuptimin e saj.
Këto ditë po ndodh e kundërta. Përtej fatit individual të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, shumë njerëz po kthehen te vetë ideja fillestare që ata dhe shumë të tjerë përfaqësuan atëherë, në kohën kur liria ende ishte ideal dhe njerëzit ishin të gatshëm me dhanë jetën që ajo të bëhej realitet. Kur e sheh prej kësaj perspektive, kuptohet edhe pse emblema e UÇK-së është sot kaq e pranishme. Ajo ta kujton një vendim që dikur e morën disa njerëz, me luftu atëherë kur rezultati ishte krejt i pasigurt dhe çmimi mund të ishte gjithçka.
Prandaj, një javë pas vendimit në Hagë dhe pas shumë vitesh debatesh se kujt i takon UÇK-ja, përgjigjen po e japin qytetarët me atë se çfarë po ndodhë në Kosovë. Para se të jetë e kujtdo, UÇK-ja, duke na e bërë dritë lirinë që e gëzojmë sot, është e të gjithëve. E historia e saj nuk mund të jetë e ndarë nga ata që e themeluan dhe e udhëhoqën atë.