Caktohet paraburgim ndaj serbit të ndaluar në Jarinjë, kreu krime lufte në Pejë

Prishtinë | 04 Shk 2019 | 16:33 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Z.D, i nacionalitetit serb, me vendbanim në Republikën e Serbisë.

Ky vendim për shkak të dyshimit të bazuar se ka dhënë ndihmë apo ka shtënë me armë zjarri në popullatën civile shqiptare, sipas këtyre veprimeve ndër të tjera janë vrarë 33 viktima gjatë një sulmi të kryer kundër popullatës civile shqiptare nga datat 26, 27, 28 mars dhe 13, 17, 28 maj 1999 në Lagjen “Kristal” në Pejë, njofton Klan Kosova.

Në këtë rast i njëjti ngarkohet se ka kryer veprat penale krime lufte në kundërshtim të rëndë me Konventat e Gjenevës, shkaktimi i qëllimshëm i vuajtjeve të mëdha ose i dëmtimeve të rënda trupore apo shëndetësore, dhunimi apo ngacmimi seksual, krime të luftës në kundërshtim të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar, organizimi i grupeve për kryerjen e gjenocidit, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës të parapara me Kodin Penal të Kosovës si dhe krime të luftës kundër popullsisë civile në kundërshtim me Ligjin Penal të ish – RSFJ-së.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, njofton Klan Kosova.

Klan Kosova raportoi të shtunën se i njëjti ishte ndaluar nga Policia e Kosovës në pikën kufitare Jarinje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme