Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur zhgënjimin me Qeverinë e Shqipërisë pas refuzimit që kjo e fundit i bëri ofertës së kompanisë serbe “Telekom Serbia” për të blerë kompaninë shqiptare të telefonisë mobile “Telekom Albania”.
Gjatë ceremonisë së përurimit të fabrikës “Labor srb”, në Mitrovicë të Sremit, presidenti serb, Vuçiq, tha se refuzimi i parave serbe është një refuzim i investitorit.
“Shqipëria duke refuzuar paratë serbe në procesin e shitjes së ‘Telekom Albania’ dërgon mesazhin e gabuar, mesazhin që investitorët nuk janë të mirëpritur”, theksoi Vuçiqi. Presidenti serb shpjegoi më tej se: “Kam dëgjuar nga përfaqësuesit tanë se kemi ofruar ofertën më të mirë dhe se Ministria shqiptare e Telekomunikacionit ka thënë se Serbia nuk mund ta blejë ‘Telekom Albanian’.
Ajo dëshiron të thotë se paratë e Serbisë nuk janë mjaft të mira, gjë që do të ishte e frikshme”. Por presidenti serb tha se nuk do të flasë më gjatë për këtë çështje derisa të ketë në dorë të dhëna zyrtare.