Sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Edinson Cavani, do t’i mohojë të gjitha ofertat për ta vazhduar karrierën nga Amerika e Jugut gjatë sezonit të ardhshëm, pasi që është i bindur në dëshirën për të vazhduar në Evropë të paktën deri në Kupën e Botës 2022.
Klubi brazilian, Flamengo, ishte konsultuar me sulmuesin Edinson Cavani gjatë dhjetorit për një transferim potencial të tij, vetëm për ta mësuar dëshirën e tij për të luajtur në Evropë edhe më tutje.
Përderisa kontrata e tij me Paris Saint-Germianin do të skadojë në fund të këtij sezoni, Cavani pritet të largohet nga Franca dhe një transferim në Atletico Madrid ka më së shumti gjasa të ndodhë, pasi që klubit madrilen iu ishin refuzuar dy oferta gjatë janarit.
Nëna e Cavanit, Berta Gomez, ka deklaruar së fundi që djali i saj dëshiron të mbetet edhe më tutje në Evropë, duke thënë se ai e dëshiron veçanërisht transferimin në La Ligës dhe dëshiron të punojë me trajnerin e Atleticos, Diego Simeonen.
“Për fat të mirë, sot ka shumë klube që janë të interesuara për Cavanin. Ai ende nuk e di se ku do të luajë, i ka edhe tre muaj në kontratën e tij me PSG-në”, ka thënë Gomez.
“Ne duhet të mendojmë me kujdes. Për momentin, ai nuk dëshiron të kthehet në Uruguai, ai planifikon të qëndrojë në Evropë dhe do t’i pëlqente transferimi në Spanjë”.
“Djali im do të ketë shumë oferta. Kjo është e padiskutueshme sepse ai është një sulmues i dëshmuar, këtë e ka dëshmuar ndër vite”.
“Por ai po vazhdon të mendojë për Atletico Madridin, pasi që do t’i pëlqente të punonte me Simeonen”. /Gazeta Express/