Çelaj: Ahmeti ua fali çerdhet asamblistëve të VV-së

Prishtinë | 27 Pri 2017 | 15:32 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike në Prishtinë, Lirak Çelaj, ka denoncuar publikisht kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti, për dhënien e pronës publike në mënyrë joligjore.

Çelaj, në një konferencë për medie, tha se Ahmeti ka dhënë pronën publike për ndërtimin e çerdheve duke mos përfillur asnjë procedurë ligjore, raporton Ekonomia Online.

“E keni parë që ai vazhdimisht e ka trumbetuar gjoja suksesin e tij me çerdheve me bazë në komunitet. Ne, në parim, kemi qenë pro hapjes së çerdheve të reja, sepse edhe kështu nuk ka vende të mjaftueshme që prindërit t’i qojnë fëmijët e tyre”, deklaroi Çelaj.

“Por, kyetari Ahmeti në mënyrën më të ulët, ka keqpërdorur dhe instrumentalizuar nevojën e prindërve për çerdhe, duke e shndërruar pronën publike për çështje partiake, dhe duke keqpërdorur ligjet në fuqi. Ky shpërdorim i detyrës nga ana e kryetarit Ahmeti, është kulmi i injorimit të ligjshmërisë, përjashtimit nga procesi i konkurrencës dhe keqpërdorim i objekteve publike për qëllime private, partiake dhe klanore”, tha ai.

“Duke shkelur Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, nenin 5, 7 dhe 8 konsiderojmë se kryetari Ahmeti ka bërë vepër penale dhe shpërdorim të detyrës zyrtare, për të cilën duhet të përgjigjet para organeve të drejtësisë”.

Sipas kreut të PDK-së në Prishtinë, i cili është dhe këshilltar komunal, Shpend Ahmeti me këtë rast nuk ka mundësuar konkurrencë të hapur publike, por “ai ka themeluar me shokët e tij OJQ dhe u ka dhënë atyre këto objekte që të menaxhohet me to”.

Në nenin 5 të këtij ligji, pika 1, thuhet se “procedurat për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim afatshkurtër, realizohen përmes konkurrencës së hapur publike dhe procedurave të parapara me këtë ligj”.

“Për dhënien e pronës së paluajtshme komunale për shfrytëzim afatshkurtër, konkursi i hapur publik është në formën e ankandit”, saktësohet në pikën 2.

Kurse sipas nenit 7 të Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës, “kryetari i Komunës i propozon Kuvendit të Komunës për miratim paraprak pronën e paluajtshme të Komunës për dhënien në shfrytëzim personave fizik dhe juridik, duke paraqitur arsyet dhe interesin publik”.

“Kryetari Ahmeti nuk është që nuk i di këto procedura por duke dashur të favorizojë anëtarët e vet siç është rasti me asamblistin e VV-së, i cili është edhe një prej themeluesve të njërës prej këtyre çerdheve”, tha Çelaj.

“Edhe më i rëndë është fakti që ai ka manipuluar më prindër që janë në hall në mungesë të çerdheve të mjaftueshme duke i implikuar në shkelje të ligjit me qëllim të përfitimit partiak. Kjo na bën të dyshojmë se këto çerdhe janë shfrytëzuar për punësim të militantëve partiak, keqpërdorim të parasë publike”, theksoi kryetari i Degës së PDK-së në kryeqytet.

Të ngjashme