Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, morën pjesë sot në ceremoninë e certifikimit të 19 nxënësve të klasave të 12-ta të profilit floktar në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Kjo gjeneratë është e para që diplomohet sipas modelit të arsimit dual në këtë institucion arsimor.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e arsimit profesional dhe modelit dual si një qasje që ndërthur teorinë me praktikën. Ai tha se ky model është kthyer në realitet për herë të parë gjatë këtij mandati qeverisës dhe shërben si urë lidhëse mes shkollës dhe tregut të punës.
“Më vonë kam studiuar pak më ndryshe, por sërish të shkencat natyrore dhe fushat teknike. Që i përngjajnë këtyre qarqeve elektrike këtu, me rezistenca, kondensatorë, rrymë dhe me ndërprerës, ndonëse jo me ata ndërprerësit në Kuvend të Kosovës me pamundësi kuorumi nga opozita. Për herë të parë gjatë këtij mandati e kemi bërë realitet arsimin dual në shkollat tona profesionale, sepse është prioritet kyç i qeverisë sonë. Ky model ndërthur teori me praktikë dhe i afron të rinjtë me tregun real të punës”, tha Kurti.

Drejtori i shkollës, Blerim Gërvalla, tha se kjo është një ngjarje e madhe për nivelin arsimor në Kosovë.
Ai tha se mësimi dual në këtë shkollë ndahet në tri drejtime: mekanik, floktar dhe estetikë.
“Sot, për herë të parë në Kosovë po certifikohet gjenerata e parë e nxënësve të cilët zhvillojnë mësimet në një model të ri arsimor, i quajtur mësimi dual, i cili kryesisht zbatohet me sukses në Gjermani, Zvicër, Austri e të tjera.
Për ne, pa dyshim, është një moment krenarie. Pa dyshim se viti shkollor 2022–2023, si dhe data 26 maj 2025 do të hyjë në ditët e shënuara të historisë së shkollës ’Shtjefën Gjeçovi”, tha ai.
Ministrja Nagavci njoftoi se arsimi dual tashmë është i pranishëm në 25 shkolla profesionale në mbarë Kosovën, duke përfshirë mbi 1600 nxënës.
Ajo e cilësoi këtë ceremoni si një dëshmi të suksesit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me partnerët ndërkombëtarë.
“Tre vjet pas, në këtë ceremoni që është dëshmia më e gjallë e suksesit tonë të përbashkët, suksesi është i garantuar kur bashkëpunimi është i frytshëm, sikurse në rastin tonë. Për të ecur përpara duhet që maksimalisht të përkushtohemi për t’i mbështetur nxënësit tanë, t’u krijojmë kushtet e nevojshme për mësim. Andaj edhe filluam mësimin dual”, tha ajo.

Mario Ekart, udhëheqës i projektit “Fit for Jobs” nga GIZ, theksoi se certifikimi i nxënësve shënon një hap të rëndësishëm për sistemin arsimor në Kosovë.
“Është nder i madh për arsye se është moment i rëndësishëm në sistemin dual dhe sistemin arsimor në Kosovë. Kemi arritur diçka që është e duhur për sistemin e Kosovës. Është një situatë ku fitojnë të gjitha palët, kompanitë nga njëra anë përfitojnë me fuqi punëtore, nxënësit bëhen të gatshëm për tregun e punës”, tha ai.
