Nga lufta e fundit në Kosovë rezultojnë të zhdukur 1647 persona. Tash e 20 vjet Bajram Qerkinaj nuk e ka gjetur djalin e tij të zhdukur.
Qerkinaj që është përfaqësues i familjeve të të zhdukurve të Kosovës, po e fajëson politikën vendore dhe atë ndërkombëtare për neglizhencën në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Ai në një prononcim për Ekonomia Online, thotë se çështja e të pagjeturve ka mbetur në udhëkryq.
Ai thotë se kanë informacione për vende ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore, por nuk është hulumtuar e as gropuar asnjëherë në ato vende.
“Ne kemi prit prej Ministrisë së Mirëqenies Sociale të cilët e kanë ‘sakatuar’ këtë klasë, e kanë përgjysmuar bukën që e kanë marrë, ka mbetur në rrugë ligji, kanë mbetur në rrugë gropimet për të cilat ne kemi dhënë dokumentacione edhe me skica në pjesë të veriu dhe nuk janë gërmuar, kemi dokumentacione me centimetra ku gjenden dhe nuk shkojnë të gropojnë ose u mbyten 23 persona dhe i dërguan me karroca në Kalludër dhe i varrosën një nga një ushtria serbe dhe nuk shkojnë të hulumtojnë. Ata thonë se nuk kemi informata të mjaftueshme. Informata individuale me të vërtetë nuk kanë të mjaftueshme, por dihet vendi ku janë, janë të incizuara me satelitë, imazhet satelitore kurrë nuk i ka kërkuar Kosova”, ka thënë Qerkinaj.
Ai mendon se politikës po i konvenon kjo gjendje, por siç tha ai fajin kryesorë e kanë ndërkombëtarët.
“Mjerisht, dyshojë se politikës po i konvenon. Me e rahatu popullin është politika dhe Qeveria, komplet shteti. Mirëpo, ndërkombëtarët shkojnë e gërmojnë dhe nxjerrin një trup siç ka ndodhur në veri të vendit dhe pas një viti shkojnë e nxjerrin një trup tjetër, atyre u konvenon, ata nuk kanë dashur të pastrojnë pjesën e veriut tash e sa vjet. Ata thonë që ne kemi dhënë edhe skica të policisë ku janë varrosur, por në Kosovë nuk punohet sa duhet sepse është dashur moti të pastrohet pjesa e veriut ku dyshohet që janë njerëz me emër e mbiemër”, tha ai.
Qerkinaj ka bërë apel tek familjarët që të japin gjak në mënyrë që të zgjidhet çështje e mbetjeve mortore që janë në morg.
” U bëjë lutje familjarëve, të gjithë ata që nuk kanë dhënë gjak dhe e kemi në morg njerëzit të cilët dihet edhe të kujt janë, ju kisha lutë që të vijnë dhe të japin një pik gjak. Të gjithë ata që nuk kanë dokument që e kanë varrosur nuk do të shënohen si krim lufte”, tha ai për EO.
Këtë që po ndodh me çështjen e të pagjeturave po e quan lojë të “fëlliqur” të Serbisë, koordinatori për Personat e Pagjetur në Qeverinë e Kosovës, Jahja Lluka.
Ai tregon se Serbia po jep lokacione si të dyshuara për mbetje mortore, por që gërmimi është shumë i vështirë dhe zgjatë me vjet, e në shumë raste nuk gjendet asnjë mbetje.
“Kemi pasë disa raste kur në Mitrovicë kemi hasë në një mbetje mortore pasi që është hap një varr i ri. Në Serbi kemi pasë dy lokacione, Serbia po e luan një lojë të ‘fëlliqur’ për arsye se hap ku është gati e pamundur të gjenden mbetje mortore, është Kizhevaku dhe Jallovishta, dy vende ku kemi pasë gërmime dhe janë mbetjet e minierave që janë aq të mëdha sa që mundesh të gërmosh me vite dhe Serbia është e interesuar dhe jobashkëpunuese gërmon me vjet dhe më në fund rezultati nuk po besoj që do të rezultojë me gjetje. Kemi bashkëpunim këtë vit shumë të mirë me familjarët që është për tu lavdëruar dhe z. Haradinaj i ka përkrahur shoqatat për funksionim”, ka thënë ai.
Lluka në një prononcim për Ekonomia Online, thotë se këtë vit është gërmuar në 25 lokacione të ndryshme në disa prej të cilave janë gjetur mbetje mortore.
Ai ka treguar se së shpejti do të nisin gërmimet në veriun e Mitrovicës, më saktësisht te varrezat e myslimanëve.
“Në planin tonë janë edhe disa gërmime që do t’i përfundojmë këtë vit. Janë në Mitrovicën e veriut, në varrezat e myslimanëve, po shpresojmë që do t’i kemi edhe dy raste të tjera për të cilat ka urdhëresë nga Prokuroria për Krime Lufte. Ne këtë vit kemi pasë 25 gërmime, dy në Serbi dhe gjetje ka mirëpo duhet të kemi parasysh që tani nuk do të ketë varreza masive, por kryesisht janë individuale. Kemi mungesë të informacioneve të sakta për arsye se 20 vjet pas masakrave terreni ka ndryshuar, njerëzit janë më të moshuar dhe normalisht që nganjëherë po kemi edhe dështime gjatë gërmimeve. Arsyeja tjetër është që edhe një punë që është bërë nga Kombet e Bashkuara me një radar nuk ka rezultuar me ndonjë rezultat fatkeqësisht. Në 7 gërmime që i kemi bërë nuk kemi hasë në asnjë person të zhdukur”, ka thënë Lluka.
Sipas tij, radari nuk po sjell rezultate dhe puna po zgjat me vjet.
“Ne dy herë kemi qenë në veri me ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, tani po presim fatkeqësisht që koha është prish, i kemi dy gërmime në pjesën e poshtme të varrezave dhe po presim urdhrin e Prokurorit për Hulumtimin e Intelektualëve të Mitrovicës, Adem Ademit. Është insistim i Kombeve të Bashkuara që prapë të vjen radari mirëpo nuk e kemi pa të arsyeshme për arsye se ne nëse kemi koordinatat ku ka eventualisht mbetje mortore, mirëpo puna e radarit po zgjat një vit pritje, ankth dhe shpresë për familjen e mandej nuk po del asgjë”.