Chollet i njofton veç e veç takimet që pati në Prishtinë, lë nga një porosi për secilin

Prishtinë | 12 Jan 2023 | 07:16 | Nga Ekonomia Online

Këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka njoftuar për takimet që zhvilloi gjatë qëndrimit të tij në Kosovë të mërkurën, bashkë me delegacionin e DASh.

Veç e veç, Chollet theksoi se për çka u fol në takimet që zhvilloi sot. Në njoftimet që ndau, Chollet për ta la edhe porosi.

Me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, Chollet tha se u fokusua në procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Chollet ka theksuar se do të vazhdojë mbështetja e ShBA’së drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve, duke pritur angazhimin edhe të Kosovës.

“Bashkëbisedim i rëndësishëm për dialogun, me kryeministrin Albin Kurtin. Vlerësoj angazhimin e Kosovës në mënyrë konstruktive dhe fleksibile. Vazhdojmë përpara me partneritetin e vazhdueshëm për avancimin e përpjekjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Chollet në Twitter.

Pas takimit me presidenten Osmani, këshilltari amerikan ndau mirënjohje për solidarizimin e Kosovës me Ukrainën dhe me refugjatët afganë që ishin strehuar në Kosovë.

“Kënaqësi të takohem me presidenten Vjosa Osmani. Partneriteti ynë ShBA-Kosovë është i palëkundur. Ne e lavdërojmë Kosovën për solidarizimin me Ukrainën në miratimin e sanksioneve, mbështetjen e refugjatëve dhe gazetarëve dhe dënimin e luftës së Putinit. Mirënjohës për bujarinë e Kosovës në pritjen e të evakuuarve dhe refugjatëve afganë.”

Në një tjetër njoftim, Chollet foli për takimin me liderët e opozitës, që sot u zhvillua në selinë e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Për ta, tha se mospajtimet konstruktive janë thelb i demokracisë së fortë.

“I vlerësoj liderët opozitarë në Kosovë për mendimet që ndanë. Mospajtimi konstruktiv është thelbi i një demokracie të fortë. Mirënjohës për mundësinë për t’u angazhuar dhe dëgjuar pikëpamjet e tyre”.

Këshilltari amerikan, teksa njoftoi edhe për bashkëbisedimin me përfaqësues të Listës Serbe, tha se serbët duhet patjetër të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Këtu, ai ritheksoi rëndësinë e themelimit të Asociacionit, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Takimi informues me anëtarët e Listës Srpska. E vlerësoj faktin që dëgjova për shqetësimet e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Serbët e Kosovës duhet të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës. Ne vazhdojmë të theksojmë rëndësinë e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, njoftoi këshilltari Derek Chollet.

Të ngjashme