Cila është strategjia e Europës për të dalë nga pandemia

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 21:24 | Nga Ekonomia Online

Analizë nga Darren McCaffrey, redaktori politik i Euronews.

Është periudha më e vështirë për shumë vende në Europë. Dhjetëra mijëra njerëz kanë vdekur, qindra mijëra janë infektuar, miliona kanë humbur punën e tyre dhe dhjetëra miliona të tjerë janë kufizuar në shtëpitë e tyre.

Por kjo fundjavë dukej se do të shënonte një pikë kthese, të paktën për disa vende. Italia, Spanja dhe Franca kanë parë vazhdimisht rënie të niveleve të tyre të përditshme të vdekjeve, ndërsa në Gjermani numri i rasteve të reja ra, dhe në Belgjikë për herë të parë më shumë njerëz u larguan nga spitali sesa mbërritën me COVID-19.

Beteja shëndetësore është shumë larg. Disa pjesë të Europës janë më shumë se një javë prapa për sa i përket përhapjes së virusit. Në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë dhe Suedi, numrat vazhdojnë të rriten. Vetë Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar e kaloi natën në spital. Dhe është e qartë se shumë më tepër njerëz në të gjithë kontinentin do të infektohen akoma dhe disa, për fat të keq, do të vdesin.

Megjithatë, vëmendja tani po kthehet në një strategji daljeje:

Kjo nuk ka qenë thjesht një emergjencë shëndetësore, por edhe një çështje ekonomike. Ministri i Financave në Francë, për shembull, njoftoi sot se vendi mund të shohë recesionin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore. Kështu që përqendrimi po zhvendoset në pyetje të tilla si: si t’i rikuperojmë ekonomitë; si të veprojmë që bizneset të hapen përsëri; si t’i kthejmë njerëzit në punë? Dhe si ti bëjmë të gjitha këto pa rrezikuar një goditje të dytë të mundshme të koronavirusit?.

Epo, qeveritë kanë filluar punën për këtë:

Franca, Spanja, Belgjika dhe Finlanda janë disa nga vendet që kanë krijuar komitete ekspertësh për të shqyrtuar një lehtësim gradual të urdhrave të qëndrimit në shtëpi. Të hënën Austria u bë vendi i parë në BE që njoftoi se do të fillojë rihapjen e ekonomisë së saj. Dyqanet e vogla do të hapin dyert e tyre përsëri nga java e ardhshme, ndërsa të gjithë shitësit me pakicë dhe qendrat tregtare do të kthehen në biznes aktiv më 1 maj.

Qeveritë po përpiqen të arrijnë një ekuilibër të mirë:

Sa më gjatë ekonomia e një vendi në thelb të mbetet e mbyllur, aq më i lartë është numri i mbylljeve të detyruara të bizneseve të vogla. Dhe ka një efekt më të gjerë goditës, gjithashtu. Sa më e lartë të jetë shkalla e papunësisë, aq më shumë do ti kushtojë kjo vendeve në vitet në vijim.

Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me ndikimin ekonomik. Ky bllokim po shtrëngon shëndetin mendor të njerëzve, rastet e abuzimit në familje po rriten dhe po cënohet arsimi dhe perspektiva e miliona të rinjve.

Gjithsesi lehtësimi i rregullave do të vijë gradualisht. Për shembull, Danimarka dhe Belgjika po shqyrtojnë ndarjen e klasave të shkollave me dy turne, për të lejuar një distancim më të mirë shoqëror.

Por, jeta nuk do të kthehet në normalitet, për në një kohë të shpejtë:

Nuk ka përgjigje të lehta dhe ende nuk ka rrugë të qartë. Dy gjëra janë bërë të dukshme, sidoqoftë. Së pari, të gjithë ne do të duhet të punojmë shumë për të parandaluar një goditje të dytë në muajt e ardhshëm në këtë vit. Dhe së dyti, periudhat e papërcaktuara të bllokimit janë thjesht të paqëndrueshme.

Burimi: EuroNews

Të ngjashme