Kjo parathënie edhe mund të mos pëlqehet nga autori i këtij libri por, meqë ai tash po na jep këshilla për gjithçka, po ia kujtoj atij disa që dikur ia jepja unë, duke i kërkuar as të mos ma ndërpresë dhe as të ma presë fjalën tash
Iljasa Salihu (Caki), në vitin 2005, kur unë dhe kur ai ishim vetëm 21 vjeç; kur unë punoja në një gazetë dhe kur ai s’ua lëshonte dyert xhamive dhe mezi priste të hapej e gjelbra në ndonjë semafor dhe të shëtiste nëpër qytet sapo dilte nga xhamia, një ditë, teksa unë po e lexoja një libër kundër fesë e ai po merrte abdes t’i lutej Zotit të vet dhe timit, edhe për mua edhe për veten, në kohën e drekës, më pyeti: Qysh me u ba shkrimtar? Qysh me u ba kritik? Qysh me shkru? Këtyre tri pyetjeve, jo edhe atëherë dhe jo kaq seriozisht dhe kështu si sot, s’do t’u përgjigjesha gjatë, sepse Iljasaut, me fjalë ngacmuese, ia pata marrë shembull librat që i kishte në dhomën ku banonte në një banesë në Prishtinë, në të cilën banoja edhe unë, po karshi saj. Librat që i kishte aty mund ta bënin teolog, por jo edhe shkrimtar, sepse e përplasnin, ende pa e nisur mirë, të ardhmen e tij me letërsinë që ia sugjeroja unë.
Dhe, librat që kisha unë në dhomën time dallonin shumë prej atyre që i kishte ai në dhomën e vet. Ndër të tjerë, në dhomën time, e cila ishte e errët dhe muret e së cilës ishin të ngjyrosur me bojë të kuqe, e cila më pengonte shumë, kishte libra me prozë, me poezi, me kritikë; libra nga filozofia, nga sociologjia, nga gazetaria, edhe nga dramaturgjia… S’kishte rafte në të për organizim të tyre, por i gjeje të hedhur në dy shtretërit, përskaj, para e prapa derës, në dysheme, te dera e ballkonit, afër kompjuterit, edhe mbi grykën e ndonjë shishe të plastikës të Koka Kolës të cilën pije e konsumonim shumë. Kjo shkapërderdhje e tyre ma kursente kohën sepse nuk më duhej shumë kohë për ta gjetur librin që më duhej.
Për dallim nga e imja, dhoma e Iljasaut ishte më e vogël se e imja, edhe më e bukur se e imja, edhe më e ndritshme se e imja. Në të, i thosha shpesh atij me ngacmim, se banonte Zoti, kurse në timen rrinte kudo dreqi. Prandaj, meqë në timen ishte ky tjetri (dreqi) dhe ishte i lazdruar, edhe isha shumë më i shkujdesshëm në shprehje sesa ai që në të tijën vazhdimisht rrinte Zoti, i cili binte në gjumë më herët sesa flija unë dhe, si zakonisht, binte dhe çohej me lutje.
Ndër të tjera, kishte në dhomën e Iljasaut edhe një orman të zakonshëm për ta futur jorganin dhe jastëkun, që s’e kishte e imja, i cili i kishte edhe dy rafte në mes, me jo më shumë se një metër gjatësi. Në këta rafte ishin krejt nja 30 libra; shtatë-tetë libra nga fusha e ekonomisë, të tjerët nga fusha e teologjisë, kryesisht të fesë islame, të cilët duket se i kishte lexuar disa herë sepse edhe i kishte nënvizuar shumë fjali të tyre siç unë, nganjëherë, i nënvizoj fjalët ose fjalitë e librave që i lexoj. Duke i parë fjalitë që kishte nënvizuar, edhe duke i lexuar disa fjalë që i kishte shkruar, me gabime drejtshkrimore, karshi atyre që ishin shkruar me kompjuter, fillimisht i propozova të heqë dorë nga librat fetarë e t’i kapë në dorë ata letrarë. U kujtua një copë herë për këtë këshillë dhe, me vendosmëri dhe me buzëqeshje, më tha se do t’i mbajë në duar edhe-edhe.
Këtij besimtari të nënshtruar urdhrave të Zotit, për t’ia hequr nga mendja dhe nga qejfi letërsinë, e nxora nga dhoma e “dreqit” autobiografinë e Mata Harit në gjuhën shqipe dhe ia dhashë për lexim. Në shkëmbim të një valltareje pornostareje dhe spiune që, po bëri e lexove vëmendshëm, edhe t’i hallakaste ndjenjat, më ofroi për lexim një mevlud për jetën e pejgamberit Muhamed, të cilin ia pranova në dhomë dhe për lexim.
Lexonte Iljasau për Mata Harin në dhomën e vet, lexoja unë në timen për profetin Muhamed. Dhe, ende pa e përfunduar leximin e autobiografisë së Mata Harit, Iljasau hapi derën e dhomës sime, me plot buzën në gaz dhe me libër në dorë, u ndal e po më thotë: Ju shkrimtarët jeni katastrofë. E përsërit prapë fjalën e fundit, me ritëm të ngadalshëm e me tonë të lartë: k a t a s t r o f ë. Meqë shoh se nuk i hiqet gazi nga goja dhe nga fytyra, më shpërthen mua kur shoh se Mata e ka ndezur emocionalisht, se ia ka skuqur veshët, fytyrën bërë all, edhe bërë më të dobët emocionalisht, saqë mezi rrinë mbështetur në kornizë të derës, me rrëfimet e saj për shërbimet, ndër të tjera, edhe seksuale që ua fronte atyre që i mashtronte. Ma lë librin në dhomë dhe, në vend të Matës, dëshiron ta nxjerrë jashtë një përmbledhje me poezi të një poeti revolucionar dhe të një predikuesi fetar, Albumi-n e Fan Nolit: Mos! Ai është Noli! Shihja kryqin në gjoks rrafsh dy metra!, – i them shpejt dhe, si zakonisht, duke e ngacmuar, por më thotë se e ka lexuar qëmoti, se poezitë e tij i di përmendsh, se edhe ky është bari i Zotit dhe njohës i mirë i fesë së vet dhe se në këto poezi nuk e predikon fenë, por revolucionin dhe ndershmërinë.
Pas Albumi-t, Iljasau hyn dhe merr, për çdo ditë, libra në dhomën time si në të vetën edhe kur jam, edhe kur nuk jam aty. Disa m’i kthen, por disa nuk m’i kthen as më vonë dhe as kurrë. E pajis bibliotekën e vet me librat e mi dhe me të tjerë që i blenë kur ndonjë ia sugjeroj unë, kur ndonjë dikush tjetër, kur ndonjë shija e vet.
Meqë në dhomën time të “dreqit”, gjatë një viti e gjysmë të banimit në të, nisën të mbesin më shumë rroba se libra, dal t’i bëj pesë muaj të tjerë gjumë në dhomën ku flinte krijimi i Zotit me librat e vet dhe të mitë, i cili, meqë besonte se Zoti i bënte thirrje, ta prishte gjumin pak para orës pesë të mëngjesit, po sapo i dëgjonte thirrjet e hoxhës për namaz, ose po sapo dëgjonte një zë gjeli, ose po sapo shihte pakëz dritë që kishte nisur të zbriste në tokë. Dhe kështu, Iljasau, pavarësisht prej mospërkrahjes sime dhe mosrrëfimeve të mia as për letërsinë e as për fenë, nuk i ndahej as letërsisë, as fesë, as sportit luftarak, Kung Fusë. Dhe, po kështu, një dite vere, kur po afronte shtatori, ai mblodhi çfarë kishte për të mbledhur në banesë dhe u nis të kthehej nga kishte ardhur katër vjet më parë, për vendlindje, për në Kumanovë. Mbeta në Prishtinë pa të, duke e vazhduar jetën në një banesë tjetër, me të tjerë bashkëbanues, me shumë pak libra, kryesisht me asi që kisha mësuar shumë pak prej tyre, e që më shumë më kishin mësuar se si nuk duhet të shkruhet letërsia sesa si të shkruhet. Pasi që ai nuk e kishte marrë edhe Mata Harin me vete, e mora dhe e merrja unë kudo që shkoja dhe, të gjithë atyre që donin të bëheshin shkrimtarë e më kërkonin këshillë për t’u bërë, ua jepja të parin libër për lexim dhe për zhvirgjërim të ndjenjave. Por, jo gjithçka mori fund me Cakin.
Miqësia me bashkëbanuesin tim më të mirë (po kaq të mirë e kisha edhe Adil Kryeziun) nuk përfundon këtu kur i ndajmë rrugët dhe punët. Iljasau, pas disa muajve të vitit 2007, vjen në Prishtinë, më takon, pimë kafe, hamë drekë, më merr libra, edhe blenë libra në librari, edhe ikën për vendlindje. Vjen dy muaj më pas dhe, po ashtu, blenë libra dhe kthehet. Herëve të tjera vjen dhe nuk më tregon se është në Prishtinë. Vetëm kur kthehet në vendlindje më thotë se ka qenë këtu ku jam unë (në Prishtinë), por kthimin e kishte detyrimisht të shpejtë. Dhe, një ditë prej ditësh, në verën e vitit 2010, më njofton se ka bërë gati një libër për botim, në të cilin ka përmbledhur ese, polemika, kolumne. Një vit më pas më shkruan dhe më njofton se e ka bërë gati për botim një roman. Prapë një vit më pas më njofton se e ka botuar një libër, tash nga fusha e ekonomisë. Pastaj në 2013-n më shkruan dy herë dhe më thotë se ka botuar edhe dy libra të tjerë. Edhe në 2014-n më dërgon dy lajme kësodore, për botim të dy librave të vet. Në 2015-n Iljasa Salihu vjen në Prishtinë, më prezantohet po si shoku im i dikurshëm, si bashkëbanuesi im dhe lexuesi i zhvirgjër i Mata Harit, dhe m’i sjell të shtatë librat që i ka botuar nga 2010-ta kundrejt frymës dhe klithjeve të saj (të Matës, pra). Meqë është fundi i vitit 2015, i them pse nuk më dhe ndonjë botim të këtij viti. Më bën me dije se e ka bërë gati një roman, të cilin ka qejf ta përpunojë edhe pak dhe ta shtypë në vitin e ardhshëm. Dhe, në 2016-n e boton një roman. Dhe, në 2017-n e boton një biografi. Sivjet, këtë që e keni në dorë, librin me aforizma dhe me këshilla, tërësisht origjinale, të cilat burojnë nga përvoja e tij e deritashme 33-vjeçare, vëzhguar dhe tumirur nga unë, për shijen tuaj.
Iljasa Salihu, me këto aforizma dhe këshilla të përmbledhura në këtë libër, nuk predikon fe dhe as besim. As nuk bën dallime mes feve, mes pejgamberëve dhe profetëve (që janë i njëjti soj), as nuk nxjerrë paralelizma mes jetës së tyre me jetën dhe për jetën tonë. Iljasa Salihu me dhe në këtë libër, atyre që e kanë zemrën e egër dhe të fortë, ua zbut pak; ndërkaq atyre që e kanë zemrën e butë dhe të ndjeshme, ua forcon pak. Ai, meqë ka lexuar shumë dhe është stërvitur shumë në jetë dhe ka kapërcyer shumë pengesa pa therë në këmbë, jep këshilla me para. Ja se si: e blenë këtë libër e ai të tregon për jetën, për të mirën, për të keqen, për të bukurën, për të shëmtuarën, për veset, për gabimet, për nderin dhe ndershmërinë, për respektin dhe intelektin, për kusarinë dhe koprracinë, për mosmirënjohjen, për dështimet, për ngutit dhe për ngatërresat, për pasurinë dhe për varfërinë, për sfidat dhe për të arriturat e vogla dhe të mëdha në jetë, për politikanët dhe për kulturën e tyre dhe të popullit, për krimin, për vjedhjen, për fjalën e keqe dhe të mirë, për dashamirësinë, për mikun dhe për armikun, për të ligën, për paratë, për vlerën e tyre, për shpirtin dhe përjetësinë, për të tashmen, të kaluarën dhe të ardhmen e vet, natyrisht edhe tonën.