Çka nënkupton “Et Voila”, termi që e përdori Gërvalla për t’i reaguar Macronit?

Prishtinë | 17 Tet 2023 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Një prej çështjeve më të diskutuara gjatë ditës së sotme, natyrisht që ishte paralajmërimi i presidentit francez, Emmanuel Macron për liberalizimin e vizave. Fillimisht, u nënkuptua se ai “konfirmoi që Franca ia ka pezulluar liberalizimin e vizave”, më pas doli që deklarata u keqkuptua. Por, aktualisht, një tjetër çështje që po komentohet shumë është edhe reagimi i kryediplomates Donika Gërvalla. “Et Voila”, ishte termi që ajo përdori – çka nënkupton?

Një deklaratë e presidentit Macron e përkthyer jo krejtësisht qartë derisa ai po mbante një konferencë me kryeministrin Edi Rama, shkaktoi shumë reagime sot.

Të gjithë menduan që Franca ia pezulloi Kosovës liberalizimin e vizave – e që rrjedhimisht – qytetarët nuk do të mund të lëviznin vetëm me pasaportë nga një janari.

Në fakt, më pas “Radio Evropa e Lirë” publikoi deklaratën e plotë dhe të përkthyer të presidentit Macron, i cili citohej të ketë thënë:

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”.

Megjithëse nuk pati pezullim të liberalizimit të vizave, Macron përmendi vizat, dhe la të kuptohet që Kosova nuk po e mban fjalën e saj për çështjen në të cilën BE-ja i besoi.

Nuk kaloi shumë, në mesin e dhjetëra reagimeve nëpër rrjete sociale, reagimin më të komentuar e bëri kryediplomatja Gërvalla.

“Et Voila”, shkroi ajo në Twitter, duke ia bashkëngjitur postimit edhe një flamur të shtetit francez.

Ky term, që përdoret jo vetëm në gjuhën franceze, por edhe në atë angleze, nënkuptohet si: “Dhe kjo është”, “Dhe ja ku e keni”, ose “Iu kam thënë”.

Të ngjashme