Kosova po pret certifikimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, për të vazhduar më pas me proceset për formimin e institucioneve.
Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 57 ulëse në Kuvend dhe eventualisht bashkë me 11 deputetë nga komunitetet jo-shumicë në të cilin LVV-ja llogaritë, Qeveria do mund të formohej. Por, ky është vetëm skenari i parë ekzistues, ngase mund të ketë edhe interesim për koalicion për një shumicë që lehtë do zgjidhte edhe çështjen e zgjedhjes së Presidentes.
Sidoqoftë, Kurti ishte kritikuar shpesh se i ka “prishur” marrëdhëniet me Amerikën. Mirëpo, ai në vazhdimësi e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë me çështjet që lidhen me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.
Kurti pak para zgjedhjeve të 28 dhjetorit ka deklaruar se marrëdhëniet e vendit me ShBA-në janë shumë të mira. Madje, ai ka thënë se ka pasur raste kur SHBA ka konsideruar që qëndrimi i tij karshi Serbisë ka qenë shumë rigoroz.
“Por, unë nuk mund të pres nga SHBA-ja që ta ketë qëndrimin për Serbinë siç e ka Kosova. SHBA-ja e ka njohur Serbinë, e ka njohur edhe Kosovën, janë miq e aleatë tanë. Madje janë aleati i pazëvendësueshëm dhe partneri kyç i yni, janë edhe miku ynë special”- pati deklaruar ai.
Kurti edhe në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se se marrëdhëniet mes dy shteteve janë shumë të mira dhe janë të shtrira në tri dimensione: zhvillim, diplomaci dhe mbrojtje.
Ai kishte thënë se raportet, marrëdhëniet dhe lidhjet mes Kosovës dhe ShBA dhe dy popujve janë të thella dhe i tejkalojnë Qeveritë.
Përndryshe, presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, në të cilin shkruan se SHBA-ja duhet të vazhdojë mbështetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohjen e ndërsjellë, duke mos mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e konflikteve.
Në këtë Akt, të nënshkruar nga Trumpi më 18.12.2025, thuhet se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në shkurt të vitit 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, përfaqëson një hap pozitiv drejt normalizimit mes dy vendeve, të cilat “duhet të synojnë përparim të shpejtë në zbatimin e Aneksit të kësaj marrëveshjeje”.
“Paqja e vazhdueshme, stabiliteti dhe prosperiteti në Ballkanin Perëndimor është direkt i lidhur me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve të këtyre gjashte shteteve”- shkruan në dokument.
Edhe në letrën përmes së cilës presidenti amerikan, Donald Trump e uroi Kosovën në 17-vjetorin e mëvetësisë së saj shpërfaqi më shumë se sa një përgëzim nga ana e një aleati. Ndërmjet rreshtash u pa një qasje ndryshe e njeriut të parë të SHBA-së – krahasuar me pararendësit e tij. Ai nuk përmendi as “Dialog” e as “shtet multietnik”, por theksin e vuri në lidhjet ekonomike.
Se Trumpi ka qëllime ekonomike është vënë re edhe në mandatin e tij të parë, atëherë kur në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me kryeministrin e Kosovës, atëkohë Avdullah Hotin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit, e cila ishte në masë të madhe “ujdi ekonomike”.
Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 12.09.2025, kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën.
Ky zhvillim solli reagime dhe diskutime mbi ndikimin e mundshëm që një vendim i tillë mund të ketë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe partnerit të saj kryesor ndërkombëtar.
Ky veprim shihet si një mesazh i pakënaqësisë diplomatike dhe thekson vështirësitë në rikuperimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ekspertët e konsiderojnë pezullimin një alarm për stabilitetin politik dhe funksionalitetin e shtetit, duke evidentuar mungesën e kohezionit politik dhe sfidat ndaj rendit kushtetues.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se do të angazhohen maksimalisht e me përkushtim të lartë që ky Dialog Strategjik i arritur në janar 2025 do të rifillojë sa më shpejt.
Ndryshe prej Ambasadës që e quajti Dialog të planifikuar, Presidenca iu drejtua me termin “rifillim”.
Presidenca bëri të ditur se Dialogu Strategjik u iniciua nga Presidentja në vitin 2021, përmes një propozimi të adresuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se ky propozim i Presidentes u rikonfirmua në qershor 2022, me anë të notës verbale dhe gjatë takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, në korrik të po atij viti.
“Siguria e Republikës së Kosovës është fuqishëm e lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj secili duhet ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë”- tha Osmani.
Dialogu Strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës, me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale, shkruan kallxo.
Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë në mes të dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si: mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik etj.