Bashkimi Evropian është në dijeni për hyrjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës.
Të shtunën që e lamë pas (7 gusht), xhandarmëria serbe ka hyrë në territorin e Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë të Kamenicës.
Hyrja e tyre kishte ngjallur frikë te banorët dhe reagime të ndryshme nga skena politike.
Ndërkaq, ka qenë vetë KFOR-i që është deklaruar rreth hyrjes së tyre, pasi që kjo pjesë e territorit të Kosovës është nën kompetencë të tyre.
Sipas KFOR-it, në Karaçevë ishin kryer patrullime të sinkronizuara, e që sipas tyre, patrullime të tilla realizohen që nga viti 2008.
“Më 07 gusht 2020, rreth orës 17:20, elementët e KFOR-it nga Komanda Rajonale Lindje zhvilluan një Patrullë të Sinkronizuar me homologët e Forcave të Armatosura Serbe në Linjën Kufitare Administrative në afërsi të fshatit Hodonoc, në komunën e Kamenicës. Që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura Serbe përgjatë Vijës Kufitare Administrative për të ofruar siguri dhe për tu siguruar që nuk ka aksidente. Në këtë drejtim, KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në afërsi të Vijës Kufitare Administrative”, thuhej në sqarimin e KFOR-it.
Zëdhënësi kryesor i Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Peter Stano, nuk ka dhënë ndonjë koment, por thjeshtë ka bërë të ditur se e kanë parë reagimin e KFOR-it, duke thënë se për detaje të tjera duhet t’iu referoheni autoriteteve kosovare.
“Ne kemi parë informacionin e dhënë nga KFOR-i të shtunën. Pyetjet e mëtejmë duhet t’i drejtohen atyre apo autoriteteve kompetente të Kosovës”, ka thënë Stano për lajmi.net.
Dy ditë pasi xhandarët serbë u panë duke patrulluar në Karaçevë, në të njëjtën zonë janë incizuar duke patrulluar edhe Policia e Kosovës.
Në anën tjetër, gjatë së dielës ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, ka thënë se patrullimi i xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës ka qenë i paautorizuar, pasi që siç ka theksuar ajo, askush ka mandat të bëjë patrullime me xhandarmerinë serbe brenda territorit e Kosovës.