Sipas ASK-së, krahasuar me muajin mars, në prill janë rritur çmimet e produkteve 1.5 për qind. Ekonomistët theksojnë se pagat e ulëta janë të papërballueshme ndaj këtyre çmimeve, ndërsa prodhuesit thonë se arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve është mungesa e lëndës së parë.
Qytetarët e Kosovës, gjatë këtij viti janë përballur pothuajse, vazhdimisht, me rritje të çmimeve të produkteve esenciale.
Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), krahasuar me muajin mars, në prill janë rritur çmimet e produkteve për 1.5 për qind.
Sa i përket inflacionit mujor, muaji prill ka pasur ngritje 1.5 për qind në raport me muajin mars, që si i vetëm ka regjistruar rritjen mujore më të madhe që nga viti 2010, me 2.7 për qind shtrenjtim, për një muaj të vetëm.
Në lidhje me këtë çështje se a është ‘kriza ekonomike dhe tregtare’ arsyeja e vetme, se pse janë në trend rritjet e çmimeve që ka shkaktuar pushtimi rus në Ukrainë. Portali D, ka kontaktuar kryetarin e organizatës joqevieritare për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit, Selatin Kaçaniku.
Sipas tij, rritjet e çmimeve po vazhdojnë për arsyeje se, nuk është marrë akoma asnjë veprim konkret për zëvendësimin e produkteve nga importi me ato vendore.
“Qeveria duhet të krijojë kushte për zëvendësimin e prodhimeve nga importi me prodhime vendore, kriza ekonomike nuk mund të përballohet me ndihma sociale”, deklaroi Kaçaniku për Portali D.
Kaçaniku, ka theksuar se tregu, bizneset dhe institucionet, akoma nuk e njohin qytetarin konsumator, e as nuk komunikojnë me të, dhe se sipas tij, ato janë plotësisht të politizuara e si të tilla sabotojnë kauzën e konsumatorit në interes të partive politike.
Ai ka thënë se Qeveria ka ‘interes’ nga rritja e çmimeve si, të produkteve esenciale të konsumit, sepse nga kjo rritje, rriten edhe prurjet në Buxhet. Sipas tij, kjo sjellje është dëshmi e vazhdimit të zhvatjes së qytetarit.
“Durim i tepruar, besim i paarsyeshëm te partitë politike se do ta bëjnë të duhurën. Ndërsa, ato partitë politike, e bëjnë të kundërtën, bëjnë loby në interes të bizneseve, sepse janë ’paguar’ me avans me ’donacione e subvencione’. Edhe ato, si blerës i fundit, i paguan qytetari konsumator”, tha Kaçaniku për PortaliD.
Qeveria me interes ndaj rritjeve të çmimeve?
Kaçaniku, ka sugjeruar që Qeveria të merret me shkaktarin e problemit e jo me menaxhimin e pasojave. Sipas tij, Qeveria po mundohet t’i përshtatet opozitës, dhe kjo e fundit po ia del me sukses.
“Qeveria po përpiqet t’i përshtatet opozitës e cila me sukses po ia ’humb udhën në oborr’. Opozita nuk është e interesuar që kjo Qeveri të jetë më e mirë, më e suksesshme se qeveria e tyre ose në koalicion me ta”, deklaroi Kaçaniku.
Mbrojtësi i konsumatorëve tutje ka deklaruar se, Qeveria kishte gabuar kur u ka ndihmuar disa bizneseve nga buxheti i konsumatorëve, sepse aty kishte edhe biznese të cilat abuzojnë me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), të qytetarit konsumator.
Ai tha se si organizatë kanë reaguar, por Qeveria nuk ka dëshirë me asnjë kusht të komunikojë me qytetarin konsumator, dhe se kanë propozuar shumë masa, të cilat i janë refuzuar nga Qeveria.
“Një nga propozimet e mia ishte edhe ngritja e grumbullimit të TVSH-së dhe të obligimeve tjera fiskale nga të tashmet 30-40 për qind, në deri 100 për qind. Nuk deshën, ndoshta për arsye se ndodhi që edhe Qeveria abuzoi me TVSH-n, e qytetarit konsumator?”, deklaroi Kaçaniku.
Rritja e çmimeve në Kosovë, sipas tij, varet nga partitë politike, grupet e interesit në nivele të larta dhe Qeveria. Ku kjo e fundit, dëshiron që të sundojë kudo. Ai theksoi se Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria po kushtojnë shtrenjtë për qytetarët.
“Kuvendi e Qeveria po na kushtojnë tepër shtrenjtë. Ky çmim i lartë duhet të paguhet edhe nga burimet shtesë, e që është çmimi. Kush duhej t’i paguante deputetët mashtrues të cilët për distancën e banimit rreth 2-300 metra nga Kuvendi i Kosovës i merrnin nga 3-400 euro për shpenzime të rrugës?”, është shprehur ai.
Ai, gjithashtu, në lidhje me importin në Kosovë është shprehur se bizneset tona kopjojnë shumë, duke shtuar se njerëzit kreativ janë në sektorë të tjerë, dhe se këtë e dëshmon fakti që Kosova importon mbi 90 për qind, të nevojave të veta.
Çmimet e larta, pagat e ulëta
Më tej, Kaçaniku është shprehur se çmimet i kemi më të larta se në Evropë, e që dihet se pagat janë rreth 10 herë më të larta se në Kosovë. Sipas tij, në Kosovë duhet të maten dhe vlerësohen çmimet nga qytetari konsumator.
Ndërsa, edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, deklaroi se Qeveria e Kosovës nuk është duke u marrë me këtë problem, dhe se në kohën e pandemisë nga COVID-19, çmimet e produkteve ishin më të arsyeshme. Ndërsa tani çmimet janë rritur shumë, kurse pagat nuk po lëvizin.
“Kosova ka pas një situatë të rëndë në dy vitet e fundit nga pandemia e cila shkatërroi me një masë të madhe ekonominë, por çmimet i kishim shumë më të arsyeshme e që tashmë është prekur nga kriza globale që çmimet janë rritur shumë, shporta konsumuese është duke u zvogëluar çdo ditë nga shtrenjtimi kurse pagat mbesin në nivelin e njëjtë” tha Shahini.
Gjithashtu, ai tha se rritjet e çmimeve po vazhdojnë nga kompanitë të cilat importojnë, dhe nga mungesa e produkteve të mjaftueshme në Kosovë.
Ai shtoi se këto probleme ekonomike në Kosovë po ndodhin nga mungesa e një grupi të ekspertëve që Qeveria duhet ta bëjë, në mënyrë që të hartojë projekte për tejkalimin e krizës.
“Të gjitha këto janë mungesë të një grupi të ekspertëve që do t’i duhen Qeverisë për të përpiluar dhe hartuar projekte, në mënyrë që të kërkojë fonde të ndryshme ndërkombëtare për tejkalim të krizës, dhe këtë nuk po e bën”, u shpreh Shahini, për Portali D.
Tutje, ai për pakon e subvencionimit në vlerë prej 100 euro për qytetarë nga Qeveria, tha se nuk është bërë asnjë ndryshim pasi nuk është dhënë për të gjithë qytetarët, e që kriza ekonomike ika prekur të gjithë. Kjo, sipas tij, ka qenë diskriminuese.
“Pakoja e subvencionimit nga Qeveria ka prekur disa kategori jo të gjithë qytetarët e vendit. Kurse kriza i ka prekur pavarësisht qytetarët a janë të punësuar apo jo, kjo ka qenë diskriminuese sepse nuk ka qenë gjithëpërfshirëse, dhe kjo ka qenë një pako e cila askush pothuajse nuk ndjen ndonjë ndryshim të madh”, deklaroi Shahini.
Shahini, ka theksuar se nëse 100 milionë euro do të ndaheshin për ta mbështetur sektorin privat dhe prodhimtarin, do të mundësohej hapja e diku 100 fabrikave, ku nga këto do të mund të punësoheshin së paku mbi 10 mijë qytetarë.
Gjithashtu, Shahini vuri në theks të veçantë, pagat e qytetarëve në Kosovë, e që nga AKB-ja po bëhen kërkesa të mjaftueshme, por nuk po realizohen nga institucionet e shtetit.
“Pagat në Kosovë janë të vogla, kërkesat e mjaftueshme që komiteti i biznesit po i bën nuk po realizohen nga institucionet e shtetit. Shteti duhet të krijojë strategji se si të dalë nga kriza ekonomike, sepse nuk është shteti vetëm ndërtesa e Qeverisë, por të gjithë qytetarët e saj”, deklaroi Shahini.
Po ashtu, Shahini tha se TVSH-ja si e drejtë e konsumatorit duhet të hiqet apo të suspendohet përkohësisht në disa produkte esenciale ushqimore, në mënyrë që të bëhen lirime.
“Qeveria ka mundësi që të rishikon politikat e veta fiskale në mënyrë që të mos marrë më shumë se sa që planifikon, sepse shteti nuk e ka të drejtën për t’i grumbulluar dhe për t’i mbajtur ato, por e ka të drejtën për të grumbulluar dhe për t’i investuar. Eshtë moment i mirë që të reduktohen akciza në disa produkte dogana në disa produkte, dhe TVSH-ja të jetë e përkohshme” deklaroi Shahini.
Brenda një muaji, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te vajrat dhe yndyrat ushqimore me 15.6 për qind, ndjekur nga gazi me 10.8 për qind dhe shërbimet e transportit me 3.9 për qind.
Mungesa e lëndës së parë, arsye e shtrenjtimit të vajit
Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, njëkohësisht edhe pronari i kompanisë së vajit në Kosovë, ’Floil’, Berat Mustafa, deklaroi se vaji është më i shtrenjtë për arsye të mungesës se lëndës së parë në Kosovë.
Ai tha se e thërrasin vazhdimisht duke i thënë se vaji është i shtrenjtë, por sipas tij, ngritja e çmimit nuk është vetëm në Kosovë. Ai ka treguar se kanë probleme me importin pasi është më i lartë, ndërsa prodhimet e vendit janë më të lira.
“Më thërrasin, duke më thënë se vaji është më i shtrenjtë, por kjo nuk është vetëm te ne, javën e kaluar në Gjermani është shitur një litër vaj pesë euro, ndërsa të gjitha prodhimet e vendit janë më të lira se importi. Ne kemi problem me importin dhe ky është shumë i lartë, diku deri 30 për qind të produkteve tona ne i përdorim, diku deri 16 për qind i përdorim nga eksporti kurse pjesa dërrmuese është nga importi”, tha Mustafa, pronari i kompanisë ‘Floil’.
Mustafa, u shpreh se problemi i çmimeve është edhe problem i prodhuesve, pasi sipas tij, kur ka ngritje të çmimit të lëndës së parë, ndikojnë edhe në ngritjen e çmimeve të produkteve të konsumit.
“Problemi është i gjithanshëm nuk mund të themi që problemi është vetëm për konsumatorët, por njëkohësisht është edhe problem për prodhuesit. Ne si prodhues jemi ballafaquar edhe me shtrenjtimin e materialeve esenciale të prodhimit si nafta, të cilat janë pjesë përbërëse e prodhimit, të cilat ndikojnë pastaj në rritjen e çmimeve”, tha Mustafa.
Në emër të kompanisë së vajit ‘Floil’, Mustafa u deklarua se ka arritur të furnizojë në kohën më të vështirë të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe u kërkoi falje në emër te kompanive të tjera që kanë bërë manipulime me çmimet e produkteve të konsumit.
“Si kompani kemi arritur të furnizojmë në kohën më të vështirë të gjithë qytetarët e Republikës se Kosovës me vaj. Ne kërkojmë falje që në disa kompani ka pas manipulime të çmimeve, por ne së paku si kompani kemi arritur të furnizojmë dhe me çmimin më të mirë në treg” deklaroi Mustafa.
Ai është shprehur se ka biseduar me Qeverinë që ta bëjnë fabrikën për shtrydhjen e farës se lulediellit në Kosovë, e që me këtë investim, sipas tij, çmimi do të ishte më i lirë.
“Ne kemi diskutuar edhe me Qeverinë që të bëjmë fabrikën për shtrydhjen e farës së lulediellit, ku sigurisht, çmimi do të ishte shumë më i lirë, për shkak se do kemi farën nga toka e jonë e Kosovës”, tha Mustafa.
Apel ndaj Qeverisë ka bërë edhe Mustafa, duke thënë se masat ndaj importit duhet të hiqen. Sipas tij, nuk ka vaj në Kosovë kur kompania varet nga importi.
“I kanë marrë disa masa që unë nuk kam qenë i pajtimit, dhe iu bëj apel që kjo masë duhet të hiqet sepse nuk kemi vaj në Kosovë, nuk kemi çka ndalojmë për eksport, ne varemi nga importi, nëse kanë importuesit vaj kemi edhe ne, nëse nuk kanë, nuk kemi as ne në Kosovë”, deklaroi Mustafa.
Ndërkaq, pronari i punëtorisë së frutave arrore, ‘Pelini’s’, Ervin Ibrahimi, tha se rritja e çmimeve po inkurajon shpenzimin e madh në produkte të caktuara, në vend të blerjes ‘si zakonisht’.
“Çmimet më të larta po i shtyjnë njerëzit të blejnë më shumë produkte tani, para se ato të bëhen edhe më të shtrenjta dhe kjo po ndikon në dëmtimin e tregut” tha Ibrahimi.
Ndikimi i çmimeve të larta, sipas tij, po shkakton tendenca që të punohet me profit të zvogëluar në këtë fazë, për ta ruajtur çmimin dhe imazhin e kompanisë në stad afatgjatë.
Gjithashtu, ai theksoi se janë dy faktorë që po e ndikojnë rritjen e çmimeve si, kostoja e lëndës së parë si pasojë e prodhimit dhe kosto e transportit e ndërlidhur me rritjen e çmimit të naftës.