Conte e di se përballja me Antalantan, do të jetë më e vështira për Interin e tij.
Atalanta është ekipi që ka shënuar më së shumti gola deri më tani këtë sezon, 48, 9 më shumë se Interi – derisa në anën tjetër ekipi i Antonio Contes është skuadra me mbrojtjen më të mirë, vetëm 15 gola të pësuar në 18 paraqitje.
Conte e ka të qartë se ndeshja me Atalantën nuk do të jetë aspak e lehtë dhe për këtë ka paralajmëruar futbollistët e tij.
“Do të jetë shumë e rëndësishme të fitojmë, sepse luajmë me ekipin aktualisht më në formë në Ligë”, tha Conte në konferencë. “Ata vazhdojnë të rriten dhe janë edhe më të fortë se vitin e kaluar”.
“Do të jetë test i rëndësishëm. Gasperini po bën punë fantastike, Atalanta është ekip fantastik dhe bën lojë të bukur për t’i shikuar”.
“Ne duhet të jemi të lumtur me rrugëtimin deri këtu, por duhet të përmirësohemi në disa gjëra”. /ge