Zulfaj: Nuk ka kushte të reja për anëtarësimin e Kosovës në KiE – Opozita kritikon Qeverinë për jotransparencë

Prishtinë | 07 Maj 2024 | 18:11 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Demokraci për Zhvillim (D4D), të martën ka mbajtur Sallonin e së Martës, me temën “Përtej lëvizjes së lirë pa viza në anëtarësimin e Këshillit të Evropës. Çfarë obligimesh e presin Kosovën?”

Rrezarta Krasniqi, kryetare e Komisionit për Integrim Evropian, tha se si deputetë të Kuvendit nuk kanë shumë informacione lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas saj, qeveria Kurti nuk ka transparencë që të dihet nëse Kosovës i janë vënë kushte të tjera për anëtarësim.

“Po pres nga këshilltari i kryeministrit (Zulfaj) të na japë më shumë informata se kemi mbetur dhe po informohemi vetëm nga media dhe në bazë të postimeve në Facebook çka po postojnë krerët e shtetit. Por ne si deputetë nuk kemi informata të tjera sa i përket anëtarësimit në KiE”, tha Krasniqi, deputete e LDK-së.

Sipas saj, edhe opozita kanë dhënë kontributin e tyre sa i përket shtyrjes së Kosovës në anëtarësim në Këshill të Europës.

“Pavarësisht që jemi pozitë dhe opozitë, në këto procese kemi qenë të gjithë së bashku. Sa herë kemi pasur takime në Parlamentin Evropian, kemi kërkuar që Kosova të anëtarësohet në KiE. Kosova ka masa në BE, ne kemi kërkuara që të hiqen edhe masat ndaj Kosovës, kemi kërkuar edhe sa herë kemi kërkuar kanë thënë se Kosova duhet të bëjë më shumë detyrat e shtëpisë që i ka”, tha Krasniqi.

Këshilltari nga Zyra e Kryeministrit, Jeton Zulfaj, u shpreh optimist se Kosova i ka plotësuar të gjithë kriteret.

“Të gjitha kushtet që kanë qenë kriter për anëtarësim kanë qenë edhe publike dhe ne i kemi plotësuar të gjitha sa i përket të drejtave njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, Kosova ka edhe radhitjen me të mirë në indeksin që adreson sundimin e ligjit dhe demokracisë”, tha ai.

Deputetja Krasniqi ndërhyri duke thënë se nuk është plotësisht e qartë nëse Kodi Civil do të jetë kusht për anëtarësim në Këshill të Europës, për faktin se sipas saj me qeverinë aktuale nuk ka transparencë.

“Sa i përket Kodit Civil dhe ligjeve të tjera, nuk besoj që do të jenë kusht për KiE. Nuk ka aspak transparencë, nuk po dimë se çka ka kushte të tjera”, ka thënë ajo.

Ndërsa Zulfaj theksoi se nuk do të ketë kërkesa tjera për Kosovën, sa i përket anëtarësimit në KiE. Kurse duke iu përgjigjur deputetes se qeveria nuk është transparente sa i përket informimit për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Zulfaj shtoi se qëndrimet janë të qarta dhe publike, ndërsa transparenca në këtë drejtim është e plotë.

Bekim Sejdiu, profesor në Universitetin e Prishtinës, tha se kur Kosova do të anëtarësohet në Këshill të Europës do të jetë shtet vendimmarrës dhe duhet t’i ketë kapacitetet për ato vendime.

“Kur Kosova anëtarësohet do të jetë shtet vendimmarrës brenda KiE, që i bjen duhet të vendosësh për çështje të ndryshme, do të bëhesh pjese e vendimmarrjeve politike e normalisht duhet me pasë kapacitete vendimmarrëse”, tha ai.

Duhet marrë parasysh edhe çështjen e kontributeve. Anëtarësimi në KiE e në çdo organizatë ndërkombëtare ngërthen dhe detyrimet, me i pagu kontributet financiare. Sa i përket Kosovës, ne e dimë të gjithë, çështja e integrimit e një shtetit nënkupton disa komponentë, së pari njohja dypalëshe që është një rrugë e tërthortë, aspekti parë është integrimit në Republikën e Kosovës, e dyta anëtarësimi në organizata ndërkombëtare; aspekti tre është aderimi në shumë konventa shumëpalëshe ndërkombëtare dhe iniciativa ndryshme regjionale”, theksoi profesori Sejdiu.

Të ngjashme