Daçiq: Kemi presion për Kosovën; Anëtarësimi në BE prioritet, por jo me çdo çmim

Prishtinë | 22 Maj 2018 | 09:27 | Nga

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë sot se ndaj tyre po bëhet presion që të arrijnë marrëveshje me Kosovën gjatë këtij viti.

Por sidoqoftë, ai ka thënë se Serbia nuk do të bëjë pazare me Kosovën, pavarësisht afateve kohore të Bashkimit Evropian, shkruan B92.

Daçiq ka theksuar për Televizionin Publik Serb se vendet të cilat e kanë njohur pavarësinë e shpallur njëanshëm nga Kosova e kanë gabim kur thonë se ky proces është i pakthyeshëm.

“Si mund të jetë i pakthyeshëm kur ka vende që po tërheqin njohjen? Shumë vende sot po shqyrtojnë vendimin karshi Kosovës, shumë prej të cilave kanë probleme të këtij lloji, sikur Guinea e Re, që ka edhe referendum për shkëputje të një pjese të territorit të saj. Në këso raste trokas në derë, për t’u thënë që të mendojnë mirë rreth njohjes së Kosovës”.

“Vendet Perëndimore që kanë njohur pavarësinë e Kosovës po mbrojnë politikat e tyre të viteve të 90-ta”.

“Do të jetë e vështirë për ta për ta ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës. Është logjike që t’i jepet fund një politike të tillë që prej rënies së Jugosllavisë, bombardimeve dhe shpalljes së njëanshme të pavarësisë. Kjo është vetëmbrojtja e tyre dhe tmerrësisht bezdisëse nëse u kërkohet tërheqja e njohjes. Ata mendojnë se njohjet e Kosovës është e pamundur që të bien nën 100, por vetëm le të mendojnë kështu”, ka thënë Daçiq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme