Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka një thirrje të re për bashkësinë ndërkombëtare.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare duhet të vendosë presion më të madh mbi Prishtinën dhe Tiranën të tërhiqen nga fushata e njohjeve të shtetit të Kosovës, në të njëjtën mënyrë siç bëjnë presion ndaj Serbinë për të ndaluar fushatën e tërheqjes së njohjeve.
Reagimi i tij erdhi pas deklaratës nga Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj i cili propozoi që me mjete të përbashkëta financiare të fillojnë një fushatë të njohjeve të reja për Kosovën.
“Pres që fuqitë perëndimore, të njëjtat që kryejnë presion ndaj nesh që të ndalemi nga fushata për tërheqje të njohjeve të Kosovës, të vendosin presion të njëjtë edhe ndaj Prishtinës dhe Tiranës që të tërhiqen nga ajo ide. Vetëm një veprim i tillë do të ishte me principe dhe i përgjegjshëm, por nuk shpresoj se do të ndodhë”, deklaroi Daçiq për “Blic”, transmeton lajmi.net.
Ai ka thënë se nëse realizohet propozimi nga Tirana zyrtare, askush nuk mund të kërkojë nga Serbia të arsyetohet pse kërkon nga shtetet anëtare të organizatës së Kombeve të Bashkuara të shqyrtojnë vendimet e tyre paraprake për njohje të Kosovës. Ai po ashtu ka shtruar pyetje në lidhje me financat, se çfarë shpenzime duhet të ndajnë Tirana dhe Kosova.
“Vetëm nëse mendojmë të detyrojnë shtetet e huaja t’ju dalin në takime dhe t’i obligojnë qeveritë e tyre ta njohin pavarësinë e Kosovës. Nuk do të befasohem nëse mendohet rreth kësaj dhe nëse janë marrë me këtë çështje në të kaluarën, por prapë befasohem që flasin publikisht për këtë çështje”, u shpreh kreu i diplomacisë serbe.