Për pak ditë do të dihet nëse spitali i shumëpërfolur i Ferizajt do të nisë të ndërtohet apo do të vazhdojë të zvarritet. Për më shumë se një vit tenderi për këtë godinë, ku pritet të investohen rreth 30 milionë euro është përcjellë me paqartësi.
Madje, edhe me më shumë paqartësi po përcillet periudha prej kur është anuluar tenderi për ndërtimin e tij.
Gazeta Fjala, merr vesh se procesi i rivlerësimit të ofertave, që erdhi si rezultat i konstatimit të dallavereve me kompaninë fituese “Al-Trade”, është në fazën finale.
Nga burime brenda Organit Shqyrtues të Prokurimit, mësohet se disa anëtarë të komisionit vlerësues të ofertave janë takuar me disa pronarë të kompanive konkurruese.
Gjithashtu gazeta merr vesh se komisioni është duke u përgatitur se tenderin pas ri-vlerësimit te ia jap konsociumit në të cilin është pjesë kompania “Çlirimi” nga Prizreni, e cila ka konkurruar për këtë tenderë më 8 milionë e mijë e 401 euro.
Gazeta ka provuar të marrë përgjigje edhe nga kompania “Çlirimi” lidhur me këtë dhe se a shohin ata veten si të denjë për ta marr këtë tenderë, por gazeta e ka pasur të pamundur të vë kontakt me ta.
Kjo ishte njëra nga kompanitë ankuese në procesin tenderues ku u gjet se “Al-trade”, e cila ishte përzgjedhur për ta ndërtuar spitalin, edhe pse kishte çmimin më të lartë se kompanitë tjera ankuese, 9.4 milionë euro, kishte bërë shkelje.
Gazeta Fjala më herët pati raportuar se ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, e kishte vendosur për këtë tender në komision vlerësues ish-zyrtaren e kompanisë “Al Trade”. Bëhet fjalë për Donjeta Berisha-Reçica, e cila sipas dokumenteve që ka siguruar Gazeta Fjala, është njëra prej katër anëtarëve që ka vendosur në tenderin për “Ndërtimin e spitalit në Ferizaj”.
Fituese u shpallë kompania “Al Trade”, ndonëse në garë ishin disa kompani që ofruan çmim më të lirë.
Ndërkohë, Gazeta Fjala raportoi se Berisha-Reçica vite më parë në “Al Trade” kishte ushtruar detyrën e zyrtares në administratë dhe ngritë dyshimet për konflikt interesi në këtë proces.
Në dokumentacionet që ka siguruar gazeta, Reçica prezantohet si anëtare e komisionit vlerësues, me përgatitjen profesionale “inxhiniere e diplomuar”.
Në Ministrinë e Shëndetësisë, kanë konfirmuar se komisioni i vlerësimit është në proces të rivlerësimit të ofertave, pa dhënë ndonjë informatë të detajuar për këtë proces.
“MSh angazhohet që procesi të jetë transparent dhe të mos ketë ndikime apo favorizime, ndërkohë që procedurat mbikëqyren nga institucionet rregulluese të fushës së prokurimit publik”, janë përgjigjur përmes adresës elektronike zyrtarë të kësaj ministrie.
Renditja e Kompanive
Gazeta Fjala e ka siguruar edhe renditjen e kompanive ofertuese për këtë tender, që është edhe kriteri kryesor për përzgjedhjen e fituesit të tenderit.
“Tenderi për ndërtimin e Spitalit ne Ferizaj është ne fazën e ankesave në OSHP, pasi janë bërë tri ankesa nga operatorët ekonomik dhe pritet shqyrtimi dhe vendimi nga OSHP”, patën thënë nga Divizioni i Komunikimit më Publikun në MSH.
Në përgjigjen e tyre thuhet se kriter i dhënies së kontratës ka qenë “Oferta e përgjegjshme me çmimin me te lire”, andaj në bazë të këtij kriteri oferta e përzgjedhur si fituese është me e lira nga ofertat e përgjegjshme.
Kjo ishte arsyeja se pse më herët u përzgjedhë “Al Trade” si më e mira, edhe pse kishte 7 kompani tjera në garë me çmim më të lirë.
“Ofertat më të lira, se sa operatori fitues, nuk i kanë plotësuar të gjitha kriteret që janë kërkuar në Njoftimin për kontratë dhe në Dosje të tenderit, andaj janë trajtuar si të papërgjegjshme. Para llogaria e dhënë nga projektuesi i këtij projekti ka qenë 11,981,921.31 euro dhe në bazë të kësaj para llogarie është tenderuar ky projekt. Oferta e përzgjedhur si fituese është me vlerë 9,468,000.94 euro që krahasuar me vlerën e parallogaritur është mjaftë e ulët”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e dhënë Gazetës Fjala.