Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, do të dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ai është arrestuar mbrëmjen e së martës para studios së “Pressing”, ku ishte i ftuar për intervistë.
Zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se seanca do të mbahet në orën 14:30.
“Seanca është caktuar të mbahet në orën 14:30”, ka thënë Gashi.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka paraqitur dje kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj dhe aktivistit të kësaj partie Adem Megjuani.
Paraburgimi ndaj tyre po kërkohet në drejtim të veprës penale “sulmi ndaj personit zyrtar”.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) të ndaluarve, në drejtim të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka konfirmuar Ulaj.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, Partia Socialdemokrate ka kërkuar që të lirohen menjëherë kryetari i partisë, Dardan Molliqaj dhe aktivisti Adem Megjuani, të cilët u arrestuan lidhur me protestën e së shtunës që u mbajt kundër propozimit për shtrenjtim të rrymës.
Sipas PSD-së, Megjuani është lajmëruar vetë dje në polici ndërsa Molliqaj u arrestua në oborrin e televizionit T7, ku edhe ishte planifikuar që të jepte intervistë për emisionin “Pressing”.
Pas arrestimit, të dy me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.