Deda: Thaçi po bën vepër penale dhe cenon interesin kombëtar

Prishtinë | 30 Dhj 2017 | 14:42 | Nga

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka reaguar pas deklaratave të Presidentit Thaçi se nisma e deputetëve për ta zhbërë Gjykatën Speciale është ligjore dhe kushtetuese.

Por, Deda ka thënë se një veprim i tillë është vepër penale. Derisa ka thënë se zhbërja e Speciales është edhe në kundërshtim me interesin kombëtar.

“Manipulimi politik i popullit është bërë specialitet i Kryetarit të Kosovës. Veprimet politike që rezultojnë me suspendimin e shtetësisë së Kosovës nuk janë as kushtetuese as ligjore”, ka shkruar Deda.

“Ndërhyrja në sistem të drejtësisë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjet e shtetit tonë. Është vepër penale – edhe për deputetët, Qeverinë dhe vet Kryetarin. Ndërsa, prishja me shtetet e pakta mike është në kundërshtim direkt me interesin tonë kombëtar”, ka shtuar ai.

Sidoqoftë, një nismë e deputetëve të PDK’së, AAK’së e NISMA’së ka dështuar për të shfuqizuar Gjykatën që do të merret me zbardhjen e krimeve që kanë ndodhur gjatë viteve 1998-2000. Kjo gjykatë do të merret me zbardhjen e pretendimeve të senatorit Zviceran, Dick Marty, i cili i implikonte udhëheqësit e UÇK’së në krime kundër njerëzimit, krim të organizuar e krime politike.

Këto veprime janë ndërmarrë kur është përmendur mundësia e nisjes së punës së Speciales dhe ngritjes së aktakuzave të para.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinajn kanë thënë se nëse deputetët shfuqizojnë Specialen atëherë do të respektojnë të njëjtin vendim.

Asnjëri prej tyre s’ka dalë kundër këtij veprimi.

Ndërkohë, LDK ka kundërshtuar një veprim të tillë duke thënë se po rrezikohet Kosova t’i rifuqizohet Rezoluta 1244, e cila parasheh kompetenca shtesë për ndërkombëtarët në Kosovë.

Vetëvendosje kishte dalë kundër Speciales kur ishte votuar në Parlament ndërsa tash po mban pozicion neutral me këtë proces. Nuk po e përkrah Thaçin për ta zhbërë Specialen por as nuk po ndryshon qëndrimin që e ka pasur për këtë mekanizëm ndërkombëtar që do të merret me vendosjen e drejtësisë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme