Deklarimi i kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, se Gjykata Speciale është e “fokusuar në përmbushjen e mandatit për drejtësi të pavarur”, ka nxitur reagime të ashpra kryesisht nga eksponentë të Partisë Demokratike të Kosovës, shkruan Ekonomia Online.
I menjëhershëm ishte reagimi i sekretares së PDK-së, Vlora Çitaku. Ajo ka shkruar në Facebook se, nën drejtimin e Trendafilovës, Specialja e ka cenuar rëndë besimin në drejtësi.
“Një proces i padrejtë, mungesë transparence, llogaridhënie e pamjaftueshme dhe mangësi serioze në mbikëqyrje. Shqetësimet e ekspertëve ndërkombëtarë për barazinë e palëve, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe monitorimin e pavarur kërkojnë përgjigje konkrete. Ju na ofroni deklarata vetëlavdëruese”, shkroi ajo.
Edhe ish-kryediplomati kosovar, Petrit Selimi, ka reaguar ndaj Trendafilovës. Selimi ka deklaruar se Gjykata Speciale është e vetmja gjykatë në botë ku kryetarja e gjykatës emëron gjyqtarët si për gjykatën e shkallës së parë, ashtu edhe për atë të apelit.
Ai gjithashtu ka thënë se kjo është e vetmja gjykatë në botë ku gjyqtarët dhe prokurorët marrin pjesë së bashku në takime konfidenciale informuese me diplomatë.
“Pra, jo – askush nuk i beson procesit”, ka shkruar Selimi, duke shprehur mosbesim ndaj procesit gjyqësor në Hagë.
Ndërkaq, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka cilësuar qesharake deklaratën e Trendafilovës.
“Të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake. Këto pretendime i lexuam në komunikatën e znj. Trendafilova. Zonja në fjalë duhet të dijë se në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi”, thuhej në reagim.
Në një video-adresim të hënën, Trendafilova tha se, prej themelimit, kjo gjykatë ka qenë cak i informacionit të rremë për pavarësinë dhe funksionimin e institucionit.
“Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë për të akuzuarit në pajtim me standardet e njohura ndërkombëtare”, ka thënë ajo, ndër të tjera, në video, duke shtuar se gjyqtarët në këtë gjykatë janë nga shtete të Bashkimit Evropian dhe se ata detyrat i kryejnë “në mënyrë të pavarur”.
Sipas saj, gjykatësit i zbatojnë konventat ndërkombëtare të përmendura në Kushtetutën e Kosovës.
Reagimi i Trendafilovës pasoi vendimin e Kuvendit të Kosovës për ndryshime në Ligjin për Specialen, me qëllim të kufizimit të mandatit në kohë, territor e në lëndë.
Kuvendi e mori vendimin pas dënimit të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, me 81 vjet burgim nën akuzat për krime lufte.