Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se shpreson që politikanët serbë të kthehen në parlamentin e Kosovës, dhe t’i përfaqësojnë interesat e komuniteteve të tyre dhe të gjithë qytetarëve të Kosovë.
“Është e rëndësishme që Lista Serbe të kthehet në punën në Kuvend, dhe të angazhohen në dialog të vazhdueshëm”, ka thënë Delawie në një intervistë për RTK2.
Ai ka thënë se njerëzit s’duhet të flasin për njëri tjetrin, por me njëri tjetrin.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme për politikanët, pavarësisht se kanë mosmarrëveshje për çështje të rëndësishme, që të bisedojnë me njëri tjetrin”, ka deklaruar ambasadori.
Diplomati amerikan ka thënë se do të nxisë akterët politikë në Kosovë, që të fillojnë punën për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
“Është e rëndësishme që të bëhet progres në krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë Delawie.
Kurse duke komentuar mbi ndërtimin e murit në Urën e lumit Ibër në Mitrovicë, ambasadori ka thënë se do të donte që njerëzit ta shfrytëzonin energjinë për të ndërtuar marrëdhënie në mes vete, e jo të ndërtojnë mure për ndarje.
Ai ka shprehur shpresën se të gjitha palët do të diskutojnë lidhur me çështjen e murit në Mitrovicë, dhe të gjejnë një mënyrë për të punuar së bashku.