Në Kinostudio kishte ndodhur një “demonstratë e heshtur”. Pesë vetë ishin arrestuar e rrahur. Ishte viti 1990. Në këto kushte Ilir Demalia do të takonte shkrimtarin Ismail Kadare. Sot, 28 vjet më vonë, Demalia kujton atë takim dhe bisedat që zhvilloi me Kadarenë.
Në një intervistë për “Panorama”, Demalia rrëfen se si u mor peng nga Sigurimi i Shtetit, çfarë ndodhi pasi u lirua, a u kontaktua më prej tyre, për të vijuar me largimin me ambasadat, ndjekjen në distancë nga Sigurimi dhe hapjen e dosjes së tij, prej nga mori nxitje dhe ky rrëfim.
“Mediat duhet ta trajtojnë edhe njëherë temën e dosjeve dhe persekutimeve, sepse edhe po t’i hapim, nuk do nxjerrim asgjë. Unë e mora dosjen time, i pashë kush më kishin kallëzuar, kush ishin ata që kishin përpiluar raportet ndaj meje. Kaq. Çfarë mund të bëj më shumë se kaq?! E shova kuriozitetin. Hapja e dosjeve ka kuptim për të ndaluar ata persona që janë në funksione shtetërore, publike dhe mediatike që të mos ushtrojnë më këto funksione, sepse me dosjet e tyre ata janë pengje të së kaluarës së tyre si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit”, thotë Demalia.
-Pas pengmarrjes së Sigurimit të Shtetit për të bërë të mundur rekrutimin tuaj, si ka vazhduar jeta, ju kanë kontaktuar përsëri?
I. Demalia: Pas reagimit të tim eti, duke vajtur te Foto Çami e duke i thënë që djali im nuk është mirë nga trutë, është i çmendur dhe mos u merrni me të, Sigurimi më la të qetë, nuk u mor më me mua. Unë i thosha shpeshherë tim ati, si më bëre mua të çmendur?! Ai më përgjigjej duke më thënë se më mirë të hapet nami si i çmendur, sesa të hash burgun.
Mos harrojmë se ka qenë viti 1988, pas dy vitesh ra i gjithë kampi komunist, Muri i Berlinit. Unë mendoj se regjimi komunist dinte se çfarë po ndodhte dhe se çfarë duhet të bënte. Ndihej një lloj zbutjeje, regjimi me institucionet e tij nuk donte të godiste fort, sepse edhe reagimi do të ishte po aq i fortë. Po bëheshin më shumë të goditur në Shqipëri sesa të pagoditur. Regjimi u trondit seriozisht pas Rumanisë dhe rënies së Çausheskut, aty udhëheqësit e partisë panë se fati i Çausheskut mund të ishte dhe fati i tyre. Ngjarja e brendshme që e gjunjëzoi regjimin ishte hyrja në ambasada e 6 mijë shqiptarëve.
-Çfarë ndodhi pas bisedës suaj me drejtues të Sigurimit në Tiranë?
I. Demalia: Unë dola, vijova jetën normalisht dhe pse duke u ruajtur disi, duke qenë më i rezervuar në të shprehur dhe komunikuar me njerëzit, se kuptova që isha i skeduar nga Sigurimi i Shtetit.
-Ata ju thanë juve që të mos i tregonit babait dhe askujt për këtë bisedë dhe të kërkuan që të mendoheshit dhe të takoheshit përsëri. U takuat prapë?
I. Demalia: Jo, jo nuk kam pasur asnjë takim me ta, asnjë ngacmim dhe nuk i kam parë më me sy. Pelivan Lushin e kam parë kur jam kthyer për herë të parë nga Gjermania në 1992. Unë vazhdova punën, jetën e përditshme, më i kujdesshëm, vazhdova shkollën dhe filluan përsëri bisedat me miq dhe shokë, atë çfarë dija unë të bëja, duke u kthyer në origjinë. Nuk dilja dot nga vetja. Por për fat ishim në fund të jetës së sistemit komunist.
-E prisnit hyrjen masive të të rinjve në ambasada në korrik 1990? Si e keni përjetuar?
I. Demalia: Unë kam shkruar një libër për atë periudhë që është vlerësuar nga ambasadori Rajerson, ambasadori Dan, nga ish-Kryeministri Meksi, nga profesor Përparim Kabo. Ngjarja e ambasadave nuk ka pasur ndonjë organizim, ka qenë një precipitim i gjithë ngjarjeve që po ndodhnin rreth Shqipërisë dhe ka ardhur natyrshëm. Por një gjë dua të them, dosja ime që unë mora në Autoritetin e Hapjes së Dosjeve të Komunizmit nuk ka si qëllim që të tregoj se, shikoni unë paskam qenë i persekutuar apo i përndjekur.
Sepse ka dosje të mijëra njerëzve që vuajtën nëpër burgje, u pushkatuan, u internuan etj., etj. Ne duhet të heqim dorë nga manipulimi, simulimi i shumë gjërave, sepse shumë njerëz që janë arrestuar apo janë thirrur nga Sigurimi, apo Dega e Punëve të Brendshme, e kanë pranuar fajësinë dhe për këtë ata nuk duhet të ndëshkohen sepse kanë pranuar fajësinë, sepse ajo mund të ketë ndodhur përmes presioneve, torturave etj. Edhe babain tim e shtrënguan, por ai nuk e pranoi fajësinë dhe për shkak të kësaj ai mori pafajësinë, si edhe unë, që nuk pranova asnjë nga akuzat që më bënë drejtuesit e Sigurimit të Shtetit.
Kur ndaj meje po ngrihej një akuzë, unë do të pranoja, po, jam kundër regjimit komunist, kundër partisë?! Kjo është çmenduri. Edhe mediat duhet ta trajtojnë edhe njëherë këtë temë, temën e dosjeve dhe persekutimeve, sepse edhe po t’i hapim, nuk do nxjerrim asgjë. Unë e mora dosjen time, i pashë kush më kishin kallëzuar, kush ishin ata që kishin përpiluar raportet ndaj meje. Kaq. Çfarë mund të bëj më shumë se kaq?! E shova kuriozitetin. Hapja e dosjeve ka kuptim për të ndaluar ata persona që janë në funksione shtetërore, publike dhe mediatike që të mos ushtrojnë më këto funksione, sepse me dosjet e tyre ata janë pengje të së kaluarës së tyre si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
-Ju thatë që jeni ndjekur deri sa keni hyrë në Ambasadën Gjermane..
I. Demalia: Po nga dosja ime që unë shoh sot, rezulton se kam qenë i ndjekur, por jo vetëm unë edhe im atë. Ka pasur raportime për mua edhe kur kam qenë në Gjermani.
-Edhe në Gjermani? Ishit ju në dijeni?
I. Demalia: Po, ka pasur raporte kur unë isha në Gjermani. Kur kemi dalë nga ambasadat, unë kam qenë personi që kam folur në mediat ndërkombëtare, “Zëri i Amerikës”, shkoja në Paris, shkruaja, më intervistonin, pra, kam qenë shumë aktiv. Për mua raportonin nga Gjermania dhe Franca, ndërsa në Tiranë ndiqej dhe përgjohej im atë dhe telefoni i shtëpisë sonë. Nga ky aktivitet, Sigurimi i Shtetit futi në dosje 2A edhe nënën time në shtator 1990, kohë që regjimi i kohës ishte në grahmat e fundit, Sigurimi vazhdonte bënte dosje për shqiptarët.
-Si ndiqeshit ju në Gjermani?
I. Demalia: Ka pasur edhe atje njerëz që jepnin informacione për aktivitetin tim, sepse unë në atë kohë kam takuar Leka Zogun, eksponentët e Ballit dhe Legalitetit, Abaz Ermenjin, kam folur në radion e Brukselit. Të gjitha këto raportoheshin prej andej. Në dosjen time sot unë lexoj që Ilir Demalia vazhdon të mbajë një qëndrim të hapur kundër pushtetit popullor etj., etj..
-Si e mbani mend përbërjen e njerëzve që hynë në ambasada, mund të kishte aty dhe njerëz të Sigurimit të Shtetit?
I. Demalia: Përbërja ishte nga të gjitha shtresat, në maxhorancë kishim me nivel të ulët arsimor, shkollë e mesme ishin një pjesë e mirë, me shkolla të larta ishin pak, por një numër i madh prej tyre, 200-330 persona kanë qenë me dosje 2A dhe 2B. Megjithatë, ajo ngjarje erdhi si virus të ngjarjeve në Europën Lindore, regjimi ishte dobësuar tashmë, kishte falimentuar ekonomikisht, zemërimi i pashprehur i njerëzve kishte arritur kulmin.
Regjimi bëri të vetmen gjë që kontrolloi rënien e tij duke përgatitur dhjetorin e 1990-s, gjë që shpjegon dhe situatën e sotme ku ndodhet Shqipëria. Në ambasadë unë organizova një peticion politik, flisja shumë dhe jemi larguar më 13 korrik 1990 drejt Gjermanisë. Duke iu referuar disa materialeve arkivore, duhet të ketë pasur dhe njerëz të Sigurimit të Shtetit për t’u informuar nga brenda ambasadave, por dhe jashtë më pas.
-Para se të hynit në ambasada, ju jeni takuar dhe me Ismail Kadarenë. Si e komentonte Kadareja gjendjen e Shqipërisë dhe të regjimit komunist?
I. Demalia: Shkak për takimin tim me Ismail Kadarenë në shtëpinë e tij është bërë Gramoz Pashko. Pas mbledhjes së Kinostudios, ku u bë ajo që është quajtur “demonstrata e heshtur” e ku u arrestuan 5 vetë, mua, Reis Çiçon, Hektor Pustinën, Ylli Beqirin dhe Spartak Pajën. Na kanë goditur dhe i kam thënë Piro Lakos se në Kodin e Procedurës Penale dhuna fizike dhe tortura është e ndaluar. U bë një debat i ashpër për kohën. Kjo mbledhje bëri bujë në Tiranë, njerëzit më takonin në rrugë. Me Gramoz Pashkon unë kisha njohje, më takon dhe më thotë se duhet të takosh Ismail Kadarenë dhe t’i tregosh se çfarë realisht ndodhi në Kinostudio. Rezultonte se Kadare i kishte çuar një letër Ramiz Alisë, ku shprehte shqetësimin se Sigurimi i Shtetit po dhunon dhe po ushtron dhunë ndaj njerëzve.
-Kur e keni takuar?
I. Demalia: Në maj 1990. I vajta në shtëpi. Kadare ishte në një gjendje të rëndë, pa humor, një gjendje dëshpërimi, mërzie. I tregova se çfarë kishte ndodhur në Kinostudio. Kadare më tha se i kam shkruar letër shefit të Shtetit, nuk e përmendi emrin e Ramiz Alisë, dhe dua të di më me hollësi se çfarë ka ndodhur aty. Unë flas me një ton të lartë zëri dhe Kadare më tha: “Ule zërin se në shtëpinë time mund të ketë aparate përgjimi”. I fola për Fishtën, sepse isha shumë i apasionuar pas Fishtës, poezitë e tij i recitoja dhe në Kinostudio. I thashë se si është e mundur që ju keni shkruar në mënyrë të tillë për Fishtën?! Ai më tha, se duke e sharë unë e kam mbajtur gjallë Fishtën, se nëse nuk do të shkruanim farë për të, ai do ishte harruar.
-A u shpreh Kadare për regjimin e kohës?
I. Demalia: Çezarit t’i japim atë që i takon. Kur unë i tregova se si na kishin rrahur në Degën e Punëve të Brendshme, Kadare iu drejtua Elenës se e kupton ti se ai (e kishte fjalën për Ramiz Alinë) do ta demokratizojë vendin me këta përbindësha! E kishte fjalën për Zylyftar Ramizin, Hodo Hodajn dhe Dilaver Bengasin.